Revolucioni në Botëror, kalendari do të zbulohet me një ceremoni speciale
Ronald Araujo po kalon një moment delikat. Që pas ndëshkimit të tij me karton të kuq në ndeshjen me Chelsean, por edhe pak kohë më parë, ai ka vënë re se nuk është në gjendjen më të mirë mendore dhe psikologjike.
Për këtë arsye, sipas të përditshmes spanjolle ‘Mundo Deportivo’ që iu referua burimeve në brendësi të situartës, qendërmbrojtësi uruguajan i ka kërkuar Barcelonës që t’i japë një periudhë kohe për t’u rikuperuar në nivel mendor dhe psikologjik nga kjo situatë që po kalon.
Araujo konsiderohet një futbollist shumë i lidhur me skuadrën, gjë që e ka treguar edhe në situatat kur është zëvendësuar duke mos shfaqur asnjë lloj pakënaqësie. Për më tepër ai ka shënuar edhe golin e fitores ndaj Gironës. Për këtë arsye, uruguajani konsideron se është më e ndershme për të, për skuadrën dhe klubin që të kërkojë kohë për t’u rikuperuar me drejtuesit e Barcelonës që nuk ngurruan që t’ia plotësojnë këtë kërkesë sepse mendon se është më mirë që futbollisti të rikuperohet plotësisht në aspektin psikologjik dhe mendor.
Te Barcelona u vunë në dispozicion të Araujos për ta mbështetur duke i dhënë këtë kohë dhe duke i ofruar ndihmë psikologjike. Presidenti Laporta e ka dhënë tashmë mbështetjen e tij që të premten, po kështu edhe Drejtori Sportiv Deco dhe trajneri Hansi Flick. Më konkretisht Laporta tha: ‘Dua t’i jap zemër e të mbroj Araujon. U kritikua shumë dhe nuk më duket e drejtë. Ai jep gjithcka në fushë, është kapiteni ynë dhe duhet të kalojë këtë moment sepse është një njeri shumë emocional dhe me ndjenje. E kaloi keq dhe dua t’i them që jemi me të, që duhet të kthejë faqe, sepse këtu fitojmë të gjithë dhe humbasim të gjithë dhe nuk ka një përgjegjës të vetëm në humbje e as në fitore’
Tani Araujo do të përqendrohet në rikuperimin shpirtëror për të lënë pas momentet e ankthit që ka përjetuar, duke u mbështetur te familja, agjentët e tij si dhe të shokët e skuadrës që e dinë që po e përjeton keq dhe i kanë dhënë mbështetjen e tyre totale. Për më tepër, Ronald Araujo është një kapiten shumë i vlerësuar sepse shqetësohet për shokët e tij të skuadrës, sic u pa kur organizoi një darkë në shtëpinë e tij me ta. Tani është momenti që të mbështetet Araujo dhe të respektohet situata e tij.
Top Channel