16 milionë amerikanë në gatishmëri për motin e keq, stuhi të forta dëbore pritet të godasin vendin në orët në vijim

01/12/2025 20:11

Një front i ftohtë nga Kanadaja pritet të sjellë të paktën 30 cm dëborë në një rajon që shtrihet në Michigan dhe të vërë më shumë se 16 milionë amerikanë në gatishmëri për stuhi dimërore, thanë parashikuesit e motit.

Stuhia, e cila tashmë ka sjellë dëborë nga Iowa në Kansas këtë mëngjes, pritet të forcohet ndërsa lëviz drejt lindjes, tha Rich Otto, një meteorolog në Qendrën e Parashikimit të Motit të Shërbimit Kombëtar të Motit. Moti i keq, i cili do të ndikojë në Rrafshnaltën e Madhe qendrore, Midwest dhe Verilindje, pritet të arrijë kulmin nga nata e së hënës deri të martën.

“Është pamja e parë e dimrit, dhe mendoj se kjo është mirë nëse ju pëlqen bora”, tha Otto.

Ndërkohë, banorët në Uashington, Filadelfia dhe Boston pritet të përballen me shi dhe breshër, tha ai.

Vala e re e motit të keq vjen pas një stuhie që “veshi” me të bardha disa pjesë të vendit, duke shkaktuar probleme me trafikun në Iowa, Indiana, Illinois dhe zona në Midwest, vuri në dukje meteorologu.

Policia e Indianës tha në mediat sociale se rrugët e akullta dhe vizibiliteti i ulët kontribuan në një aksident me 50 automjete në autostradën ndërshtetërore 70 në Terre Haute të shtunën. Në Çikago, trashësia totale e borës arriti në 25 cm gjatë fundjavës.

Brandon Buckingham, një meteorolog me shërbimin privat të motit Accuweather, i paralajmëroi udhëtarët se kushtet e rrugëve do të përkeqësoheshin nga e hëna deri të martën në mbrëmje.

“Bora sjell probleme me transportin dhe ndërprerje të udhëtimit”, tha ai.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta