Niko Peleshi takohet me homologun austriak: Austria na mbështeti që në ditët e para të pavarësisë dhe krijimit të shtetit

26/11/2025 12:04

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi gjatë vizitës së tij në Austri u takua me homologun austriak, Walter Rosenkranz.

“Sapo kemi përfunduar një bisedë shumë interesante dhe shumë të vlefshme gjatë vizitës sime të parë në Austri me homologun, presidentin e Parlamentit Austriak, është një kënaqësi e veçantë dhe jo e rastësishme që vizita ime e parë personalisht, po edhe e një delegacioni nga Parlamenti Shqiptar, zhvillohet në Austri, një vend që ka mbështetur Shqipërinë që në ditët e para të pavarësisë dhe të krijimit të shtetit tonë.

Në gjithë historinë tonë, Austria ka qenë pranë Shqipërisë. Interesat tona janë të përbashkëta, por mbi të gjitha kemi lidhje emocionale dhe njerëzore. Këtu në Shqipëri ndodhet krenaria jonë kombëtare, këtu është shpata dhe ruajtja e historisë sonë kombëtare.

Këtu Ismail Qemali, themeluesi i shtetit shqiptar, ka marrë mbështetje në hapat e parë të shtetit. Këtu është formuar një pjesë e mirë e elitës intelektuale shqiptare, e cila ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për vendin tonë, duke kontribuar jashtëzakonisht shumë, dhe mund të përmendim shumë emra të shquar.

Por Austria ka qenë pranë Shqipërisë edhe në historinë e vetë moderne. Pas viteve 1990, në procesin tonë drejt ribashkimit me Europën, Austria ka qenë gjithmonë pranë Shqipërisë, duke mbështetur vendin tonë jo vetëm me vullnet politik, por edhe me veprime konkrete. Dua të veçoj këtu Punishtën e Demokracisë, një iniciativë jo shumë e njohur për publikun në gjerë, por ku janë trajnuar mbi 6000 fëmijë, të cilët mësojnë demokracinë, vendimmarrjen dhe funksionimin e institucioneve shqiptare.

Austria ka kryesuar edhe Grupin e Miqve të Ballkanit për vendimmarrjen, një dorë e rëndësishme dhe e fuqishme mbështetëse për gjithë rajonin drejt integrimit në Bashkimin Europian.

Ndaj sot, unë erdha jo vetëm për të shprehur falënderimin në emër të gjithë shqiptarëve për atë që Austria po bën për Shqipërinë, por edhe për të ndërtuar ura dhe hapësira të reja bashkëpunimi. Si tha Zoti President, edhe në fushën e edukimit kemi disa iniciativa pionere, si Akademia Peter Mahringer në Shkodër, por edhe iniciativa më e fundit, bashkëpunimi midis Universitetit Boku të Vjenës dhe Universitetit Bujqësor të Tiranës. Janë disa nga këto iniciativa të cilat jam i bindur se pas kësaj vizite do të shumëfishohen dhe do të shtohen, sepse ne shqiptarët duam të jemi me dinjitet në Europë. Nuk duam të jemi vetëm përfitues nga tregu i përbashkët i mundësive, ekonomisë dhe politikës, por duam të jemi edhe kontribues me dijet tona, me angazhimin tonë, me pjesën intelektuale të ekonomisë së dijes, drejt një epoke të re ku shqiptarët do të jenë në standarde të larta dhe europiane.

Faleminderit para së gjithash publikisht homologut tim, presidentit të Parlamentit Austriak, për pritjen e ngrohtë dhe për mbështetjen që na garanton për të ardhmen e Shqipërisë”, tha Peleshi.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta