Rreziku nga rënia e gurëve, bllokohet segmenti hyrës i Unazës së Pogradecit kur vjen nga Qafë Thana
Nga marsi 2024, Shtëpia e Fëmijës Vlorë dhe Shtëpia e Fëmijës Korçë nuk kanë më asnjë fëmijë rezident.
Megjithatë, të dy institucionet vazhdojnë të mbajnë të njëjtin numër punonjësish, të njëjtën strukturë dhe të njëjtin fond pagash, madje edhe me rritje zyrtare. Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, që ka nën administrim këto struktura, ende nuk ka dhënë asnjë përgjigje zyrtare për këtë situatë.
Në kuadër të një plani kombëtar për deinstitucionalizimin e kujdesit për fëmijët, Shtepitë e Fëmijës në Vlorë dhe Korçë nuk pranojnë më fëmijë të rinj dhe nuk ofrojnë shërbime rezidenciale. Fëmijët e fundit janë larguar në muajin mars 2024.
Gazetarët e Fiksit sollën nga afër situatën në Shtëpinë e fëmijës Vlorë.
Në një sallë në katin e pare gazetarët gjejnë 10 punonjëse. Disa prej tyre u larguan menjëherë sapo nisi intervista me punonjësen sociale.
Punonjësja sociale deklaroi se trajtojnë vetëm dy fëmijë që vijnë për disa orë mësimi në ditë, ndërsa 10 kujdestare paguhen për kujdesin e tyre. “Nuk ka më fëmijë që qëndrojnë në institucion. Kështu është vendosur”, thotë ajo.
Kuzhinierja, që më parë pregatiste vakte, tani “ndihmon si kujdestare”, pasi nuk ka më gatime. Në institucion paguhen dy kuzhiniere. Punonjësja e protokollit thotë se puna e saj vazhdon si më parë: “Shkresat vijnë dhe protokollohen”.
Financierja konfirmoi se institucioni është pa drejtues që prej korrikut, por fondi i pagave është i pandryshuar:
“Janë 11 milionë lekë të vjetra paga çdo muaj. Për disa pozicione është shtuar edhe rroga me 70 mijë lekë të vjetra”.
Ajo sqaron se në listë janë 20 të punësuar, ndërsa disa prej tyre janë dërguar “të ndihmojnë në familje me fëmijë me probleme”. Por sipas vetë stafit, nuk ka asnjë vendim apo udhëzim të qartë, ndërsa ish-drejtoresha ka dërguar disa herë shkresa pa marrë asnjë përgjigje zyrtare.
Në katin e dytë, punonjëset e Qendrës së Shërbimeve Mbështetëse thonë se nuk kanë më funksion:“Ne kemi lidhje me fëmijën deri sa kthehet në familje. Tani që janë kthyer, nuk mund t’ju jap përgjigje”.
Gazetarët morën edhe një përgjigje në Bashkinë Vlorw ku konfirmojnë se Ministria e Mbrojtjes Sociale është institucioni përgjegjës për strukturën dhe financimin.
E njëjta situatë është edhe në Korçë. 14 punonjës, asnjë fëmijë që prej 8 muajsh
Nga një komunikim telefonik me drejtoreshën e Shtepisë së Fëmijës Korçë mësohet se prej 8 muajsh institucioni nuk ka më asnjë fëmijë, ndërsa struktura e punonjësve mbetet e pandryshuar — 14 punonjës marrin pagat çdo muaj.
Drejtoresha pretendon se disa punonjës janë dërguar të ndihmojnë në institucione të tjera, përfshirë edhe kuzhinieren. Por pyetjes nëse ata janë nën varësinë e saj apo të institucioneve ku shkojnë, ajo i shmanget duke thënë: “Unë drejtoj institucionin këtu”.
Sa i përket fondit të pagave, drejtoresha nuk jep shifra. Gazetarët e Fiksit i janë drejtuar për një përgjigje zyratre Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes sociale por nuk ka patur asnjë reagim.
Top Channel