Bloomberg publikon telefonatën mes të dërguarit të SHBA-së dhe këshilltarit të Putin, ja si i udhëzoi Witkoff rusët që t’i “shisnin” planin 28 pikësh Trumpit
Ashtu siç kryeministri Edi Rama e paralajmëroi, katër ditë më parë Këshilli i Ministrave i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar vendimin e GJKKO, e cila pezulloi nga detyra Belinda Ballukun nga të dyja postet, si zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Në shkresën e siguruar nga Top News, argumentohet se lënia në fuqi e vendimit të GJKKO-së, ‘do të sillte pasoja të pariparueshme për qeverisjen e vendit, duke krijuar vakuum institucional, mosfunksionim të Këshillit të Ministrave dhe pamundësi për ushtrimin e përgjegjësive dhe të kompetencave që Kushtetuta e legjislacioni në fuqi i njeh ekskluzivisht pushtetit ekzekutiv.’
“Zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave, nga njera anë, dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave.
Shfuqizimin e vendimit nr.118, datë 19.11.2025, të GJKKO-së, për pjesën që ka disponuar vendosjen e masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, si një akt që cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, parimin e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat e organeve, që Kushtetuta ka caktuar si autoritete, që propozojnë, emërojnë dhe miratojnë ministrat në detyrë. Pezullimin e efekteve të vendimit të mësipërm të GJKKO-së, deri në përfundimin e gjykimit të kësaj kërkese nga Gjykata Kushtetuese. Interpretimin e pikës 3, të nenit 103, të Kushtetutës, në kuptimin që “Anëtari i Këshillit të Ministrave, duke gëzuar imunitetin e deputetit, përfiton nga të gjitha garancitë procedurale, që i njeh jo vetëm Kushtetuta këtij të fundit, por edhe legjislacioni procedural penal”.
Në shkresë thuhet gjithashtu se kryeministri vlerëson se vendimi në fjalë është një akt antikushtetues për arsyet e mëposhtme:
“Cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, i cili, sipas pikës 3, të nenit 103, të Kushtetutës, “gëzon imunitetin e deputetit”;
Cenon parimin e ndarjes së pushteteve, të parashikuar në nenin 7, të Kushtetutës, duke vendosur pezullimin nga detyra të ministrit, si organ kushtetues i një pushteti tjetër dhe pengon veprimtarinë e Këshillit të Ministrave;
Ndërhyn në kompetencat e organeve kushtetuese, që kryejnë propozimin, emërimin dhe miratimin e ministrit në detyrë.
Për këto arsye, Këshilli i Ministrave kërkon nga Gjykata Kushtetuese që ta shfuqizojë këtë akt, duke zgjidhur njëkohësisht edhe mosmarrëveshjen e kompetencës së krijuar ndërmjet GJKKO-së dhe Kryeministrit, për shkak të faktit se GJKKO-ja, duke vendosur pezullimin e ushtrimit të detyrës së ministrit (anëtarit të Këshillit të Ministrave), si organ kushtetues, duke krijuar de facto një situatë juridike të ngjashme me shkarkimin, dhe ka ndërhyrë në veprimtarinë funksionale të Këshillit të Ministrave dhe në kompetencën kushtetuese të Kryeministrit për të propozuar emërimin dhe shkarkimin e ministrit”.
Qeveria kërkon pezullimin e vendimit të GJKKO për pjesën e pezullimit nga detyra të Belinda Balluku, duke pretenduar se ky vendim prek interesa të larta shtetërore.
“Lënia në fuqi e vendimit të GJKKO-së, objekt i kësaj kërkese, do të sillte pasoja të pariparueshme për qeverisjen e vendit, duke krijuar vakuum institucional, mosfunksionim të Këshillit të Ministrave dhe pamundësi për ushtrimin e përgjegjësive dhe të kompetencave që Kushtetuta e legjislacioni në fuqi i njeh ekskluzivisht pushtetit ekzekutiv. Theksojmë se pezullimi i një ministri apo zëvendëskryeministri, përveç që shkakton mosfunksionalizim të Këshillit të Ministrave, si një organ kolegjial i pushtetit ekzekutiv, njëkohësisht e pezullon veprimtarinë e pushtetit ekzekutiv në fushën e përgjegjësisë të ministrit dhe të zëvendëskryeministrit të pezulluar.
Mungesa e ushtrimit të pushtetit ekzekutiv, qoftë edhe në një fushë të përgjegjësisë, sjell pasoja të rënda për interesin shtetëror e shoqëror, duke krijuar vakuum institucional në realizimin e pushtetit ekzekutiv, por edhe të vetë pushtetit legjislativ, pasi pamundëson propozimin e projektakteve me rëndësi kombëtare për integrimin në Bashkimin Evropian, rreth 800 projektakte për të miratuar deri në fund të vitit 2027 nga ministria që udhëhiqet nga ministri i cili është pezulluar nëpërmjet vendimit të GJKKO-së.”
Top Channel