“Sjellje të padenja dhe pa vetëpërmbajtje në zyrën e drejtuesit të Prokurorisë”, KLP nuk pranon propozimin e ILD-së për masë disiplinore ndaj magjistrates në Sarandë

25/11/2025 12:01

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka rrëzuar kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për caktimin e masës disiplinore “Vërejtje publike” ndaj magjistrates Besiana Sadikaj, me detyrë Prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka filluar hetimin disiplinor në bazë ankese nga drejtuesi i Prokurorisë, ndaj prokurores Besiana Sadikaj, për shkeljen disiplinore të parashikuar, si “Shkelja e përsëritur ose e rëndë e rregullave të solemnitetit, rregullave të sjelljes në marrëdhëniet… me kryetarin…si dhe me personelin e administratës gjyqësore.”, gjatë vitit 2024.

“Nga analiza ligjore e fakteve të konstatuara gjatë hetimit disiplinor rezultoi se veprimet e magjistrates B. S. në marrëdhënie me drejtuesin dhe anëtarë të personelit të administratës gjyqësore përbëjnë sjellje të padenja, të pahijshme, pa vetëpërmbajtje, në kundërshtim me Standardet e Etikës e në shkelje të parimit të garantimit të besimit të publikut tek drejtësia. Shkeljet e konstatuara nuk lidhen me veprimtarinë e saj profesionale, e mund të jenë të rëndësishme vetëm me qëllim vlerësimin etik dhe profesional të saj, por janë të natyrës, që magjistratja duhet të mbajë përgjegjësi disiplinore.

Nga hetimi i ILD-së rezultoi se sjellja dhe veprimet e prokurores, kryer me dashje direkte kanë sjellë si pasojë diskreditim të pozitës dhe figurës së magjistratit, si dhe cenim të besimit të publikut te drejtësia. Kjo sjellje është kryer në zyrën e drejtuesit të prokurorisë, si dhe në zyrat ku ushtrojnë veprimtarinë e tyre oficerë të policisë gjyqësore, duke passjellë rrezikun që kjo sjellje të ndiqet edhe nga magjistratë të tjerë të së njëjtës zyrë prokurorie apo dhe më gjerë, pasi brenda së njëjtës godinë ndodhet edhe gjykata, çfarë nënkupton rëndësinë thelbësore që ka sjellja e magjistratit jo vetëm në ambientet e prokurorisë, por dhe jashtë saj.

Në raportin hetimor të ILD-së vërehet se qëllimi thelbësor i masës disiplinore është mbrojtja e interesit publik nëpërmjet deklarimit të përgjegjësisë disiplinore të magjistratit dhe marrja e masave aktive për edukimin e magjistratit, nëse një gjë e tillë është e mundur. Masa disiplinore përmbush edhe dy qëllime parandaluese: 1- parandalimin e posaçëm, pra që magjistrati në të ardhmen të mos kryejë më shkelje disiplinore; dhe 2- parandalimin e përgjithshëm, d.m.th. që magjistratët e tjerë të kuptojnë, se një sjellje e papërshtatshme nuk duhet kryer, pasi është e ndëshkueshme me masë disiplinore.

Duke pasur parasysh natyrën e shkeljes disiplinore dhe ekzistencën e rrethanës lehtësuese, si shkelje për herë të parë, përvojën e pakët 2 vjeçare të magjistrates në funksionin e prokurores, ILD konkludon se veprimet/mosveprimet e ndërmarra nga magjistratja B.S., përbëjnë “Shkelje të lehtë disiplinore” dhe i propozoi Këshillit të Lartë të Prokurorisë caktimin e masës disiplinore “Vërejtje publike” ndaj prokurores B.S., për shkeljen disiplinore të parashikuara nga neni 102, pika 2 shkronja “dh” të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Kërkesa u rrëzua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë”, thuhet në njoftim.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta