Rinovimi pezull, Inzaghi kërkon në Arabi mbrojtësin e Interit, zikaltrit në luftë me kohën për ta bindur

25/11/2025 16:34

E ardhmja e Francesco Acerbit te Interi po bëhet gjithnjë e më e pasigurt. Kontrata e mbrojtësit skadon në qershor dhe drejtuesit zikaltër po shohin mundësinë e rinovimit të repartit defensiv për sezonin e ardhshëm.

Kjo situatë ka hapur skenarë të rinj për të ardhmen e 36-vjeçarit, dhe një nga opsionet më konkrete duket Arabia Saudite.

Sipas mediave italiane, Simone Inzaghi — trajneri që e drejtoi Acerbin si te Lazio ashtu edhe te Interi — e dëshiron qendërmbrojtësin te Al-Hilal, duke i ofruar rolin e liderit në mbrojtje.

Nëse transferimi realizohet, Acerbi do të gjente sërish në skuadër Kalidou Koulibaly-n, ish-mbrojtësin e Napolit, me të cilin pritet të formojë një dyshe të përvojës së lartë në kampionatin saudit.

Për momentin, mbetet e paqartë nëse lojtari do të jetë gati të përqafojë një aventurë të re në një kampionat krejtësisht të ndryshëm nga Serie A, apo nëse do të presë ofertat nga futbolli europian. Interi ndërkohë vazhdon planet për të rinovuar repartin defensiv, duke e bërë largimin e tij gjithnjë e më të mundshëm.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta