Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka mirëpritur sot në Kuvend të Ngarkuarën me Punë të SHBA, Nancy VanHorn.
Në qendër të bisedës ishte dialogu dhe agjenda legjislative e Kuvendit në kuadër të reformave, ku prioritet ka përmbushja e detyrimeve të Shqipërisë në rrugën drejt BE-së.
Teksa ka ndarë foto nga takimi, Balla shprehet se u diskutua dhe zgjerimi i bashkëpunimit mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kongresit amerikan si dhe mbi idenë e një Memorandumi Bashkëpunimi mes dy institucioneve ligjvënëse.
“Mirëprita sot në mengjes në Kuvendin e Shqipërisë të Ngarkuarën me Punë të SHBA Nancy VanHorn. Në qendër të bisedës ishte dialogu dhe agjenda legjislative e Kuvendit në kuadër të reformave shumëplanëshe, ku prioritete thelbësore spikasin përmbushja e detyrimeve të Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian brenda këtij mandati si dhe detyrimet në fushën e sigurisë si një vend anëtar i NATO, aleat strategjik me SHBA. Vlerësojmë mbi gjithçka rolin udhëheqës të Presidentit Trump dhe përpjekjet e SHBA për paqe dhe siguri kudo në botë. Javën e kaluar nën drejtimin e Kryeministrit Rama Shqipëria shënoi një moment vendimtar në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, me çeljen e grupkapitullit të fundit të negociatave në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare Shqipëri–BE në Bruksel.
Gjatë takimit diskutuam edhe për zgjerimin e bashkëpunimit mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kongresi si dhe mbi idenë e një Memorandumi Bashkëpunimi mes dy institucioneve ligjvënëse“, shkruan Balla.
Top Channel