Atentati në Lushnje/ Tre persona i bënë pritë kundërshtarit të Aldo Bares, zbulohet lëvizjet e autorëve para breshërive ndaj 45-vjeçarit
Fiks Fare ka denoncuar disa herë tentativat e firmave dhe individëve private për të kthyer kanalet ujore në Lagunën e Kune Vainit në Lezhë në troje për ndërtim.
Megjithëse është zonë e mbrojtur, individë private janë pajisur në mënyrë të dyshimtë me certifikata pronësie me ligjin 7501 në atë zonë. Certifikatat parashikojnë që edhe sipërfaqja ujore, kanali kryesor që shërben për hyrje dalën e ujit të detit në Lagunë, të kenë dokumente pronësie.
Prokuroria e Lezhës ka filluar një hetim kohë më parë, ku janë gjetur shkelje, teksa sipërfaqet e pronës janë sekuestruar. Çështja është ende në gjykatë. Ndërkohë, në terren situata vijon të jetë e njëjtë, ku herë pas here, ka pasur tentativa nga firma private dhe nga individë që të mbushin këto kanale. Në dy raste, Fiksi ka evidentuar tentativa për mbushjen e kanalit.
Në maj të vitit 2022, kamera e emisionit investigativ filmoi dhjetëra kamionë me inerte që mbushnin kanalet e Lagunës së Kune Vainit. Një person iu afrua grupit të Fiksit duke i kërcënuar se do t’u thyejë kamerën dhe të largohen. Ai tha se kanali ka certifikatë pronësie. Në atë kohë, disa zyrtare të zonave të mbrojtura dhe të IMT-së së Bashkisë Lezhë u arrestuan për këto ndërhyrje. Ndërkohë, pavarësisht hetimeve të prokurorisë dhe arrestimeve, personat nuk u ndalën.
Fiksi faktoi në prill të vitit 2023 se grumbuj të mëdha inertesh, beton, gurë, tulla etj, ishin hedhur brenda në kanal, duke zënë kështu më shumë se gjysmën e hapësirës së tij, për të bërë të mundur kalimin nga njëra anë e lagunës në tjetrën. Banorët e zonës thanë se është i njëjti grup që vepron në atë zonë dhe s’është ndalur asnjëherë. Fiksi shkoi edhe në muajin shtator 2023, ku megjithëse kanali ishte hapur, institucionet shtetërore neglizhuan në mirëmbajtje, duke e kthyer ujin e Lagunës në të ndotur.
Ndërkohë, ditët e fundit në redaksinë e emisionit investigativ mbërritën të tjera informacione se disa persona po tentonin që të hapnin kanalin e Lagunës në një vend tjetër, jo në atë natyral, pasi kanali natyror ishte i bllokuar. Duke u hapur në vend tjetër, kanali komunikues me detin u jep mundësinë atyre që kanë certifikata pronësie të zonës ujore, t’a mbushin e t’a kthejnë në truall. Pra, nga pronarë të ujit, bëhen pronarë trualli!
Këto ndërhyrje, bllokimi i herë pas hershëm i kanalit natyror të lagunës, ka sjellë çarjen e argjinaturës në Tale dhe përmbytjen e fundit në zonë! Fiksi faktoi se në zonë kishte shkuar një mjet i Bordit të Kullimit. Bordi i Kullimit vonoi me disa ditë hapjen e kanalit, pasi kishte ndërhyrje për mos t’a hapur në atë rrjedhë, pasi zona “ishte private”. Kjo vonesë dyshohet se shkaktoi edhe përmbytjen e zonës së Tales në Lezhë.
Ditën që Fiksi shkoi në atë vend, ishte një mjet ekskavator i Bordit të Kullimit, i cili po hapte kanalin në rrjedhën natyrale. Gazetarët biseduan me inspektorin e Zonave të Mbrojtura, Zef Gjeçi, i cili tha se situata është problematike pas çarjes së një argjinature. Ai tha se mjeti është kërkuar nga Zonat e Mbrojtura dhe tani po hapet kanali ekzistues, natyral.
Fiksi e pyeti se çfarë punimesh janë bërë në atë zonë. “Një apo dy ditë më parë kanë ardhur disa persona, privatë, me mjete dhe kanë bërë punime. Ne kemi parë vetëm punimet dhe s’kemi identifikuar ndonjë person. Ata po tentonin që të hapnin kanalin e ri, jo atë natyral” thotë Gjeçi. Sipas tij, Zonat e Mbrojtura kanë reaguar dhe po e hapin kanalin te i njëjti vend!
Gazetarët telefonojnë Nikolin Prendin, drejtor i Bordit të Kullimit në Lezhë. Fiksi e pyet nëse mjeti i Bordit të Kullimit ka tentuar që t’a hapë kanalin jo te rrjedha natyrale, por metra më larg.
Ai tha fillimisht se zona menaxhohet nga Zonat e Mbrojtura dhe s’kishte dijeni. Fiksi i bën me dije se në atë vend ka shkuar një ekskavator i Bordit, teksa thotë se është bërë me kërkesë të zonave të Mbrojtura. Fiksi e pyet nëse Bordi i Kullimit donte të hapte kanalin në një vend tjetër, pas informacioneve se Bordi i Kullimit do t’a hapte jo në rrjedhën natyrale. Ai thotë se “jo, pasi Laguna administrohet nga një firmë private”.
Top Channel