Pavarësisht fillimit të uljes së nivelit të ujit pas mbylljes së argjinaturës së lagunës së Vainit, situata në disa zona të Shënkollit, Zejmenit dhe Kolshit mbetet e vështirë, me banesa ende të rrethuara nga uji dhe qindra hektarë tokë bujqësore të përmbytura.
Në këto kushte, Bashkia Lezhë ka shtuar ndërhyrjet në terren për të ndihmuar banorët e prekur.
Prej ditës së djeshme, Shërbimi Social i Bashkisë është angazhuar me ekipet e tij në shpërndarjen e ushqimeve dhe produkteve të domosdoshme, si dhe në mbështetjen e blegtorisë me bazë ushqimore.
Sipas drejtoreshës së Shërbimit Social, Marte Fetaj, deri tani janë shpërndarë rreth 300 pako ushqimore, së bashku me ushqim për krerët e blegtorisë në zonat më të goditura.
Tërheqja e ujit në zonat e përmbytura në Lezhë po vijon me ritme të ngadalta, pasi kanalet kulluese vijojnë të jenë me nivele të larta, duke mos favorizuar largimin e shpejtë të ujërave.
Edhe gjatë ditës së sotme, shpërndarja e ndihmave po vazhdon paralelisht me monitorimin e situatës në të gjitha zonat e prekura, ndërsa strukturat e emergjencave të Bashkisë Lezhë mbeten në gatishmëri për çdo zhvillim të ri.
Top Channel