Problemi i ujit të pijshëm në Fier është i përhershëm përtej çdo emergjence natyrore dhe mungesa e tij është “turp kombëtar “ dhe “dështim historik” i qeverisjes qendrore e lokale.
Ky ka qenë mesazhi që ka përcjellë pasditen e sotme protesta e një grupi aktivistësh të cilët me pankarta në duar kanë kërkuar zgjidhje të shpejtë konkrete të kësaj problematike.
Aktivisti Elis Baba ka pohuar se prej disa ditësh qytetarët fierakë janë përballur me mungesë të ujit të pijshëm pa paralajmërim dhe me njoftime në rrjete sociale dhe shpesh vetëm pasi ndërprerja ka ndodhur dhe sipas tij ky nuk është informim, por propagandë.
Si të mos mjaftonte mungesa e ujit të pijshëm, Fierit i ndërpritet edhe energjia elektrike pa asnjë paralajmërim ka thënë ai.
Ndërkohë qytetari fierak Spiro Goga pas thotë se prej vitesh, Fieri vazhdon të vuajë të njëjtat problematika dhe qyteti sot është shumë larg standardit minimal 24 orësh që premtohet prej dekadash.
Ata kanë kërkuar njëzëri zgjidhje dhe përgjegjësi pasi furnizimi me elementët jetik ujë e drita është e drejtë themelore e çdo qytetari.
Top Channel