Nga Preç Zogaj

Hetimi dhe vënia nën akuzë e Belinda Ballukut shënon një tjetër “herë të parë “ të SPAK dhe GJKKO duke qenë ajo ministre në detyrë, e porsapromovuar nga Rama në postin e numrit dy të qeverisë.

Rasti në fjalë rrëzon si asnjë tjetër “tezën” sikur SPAK komandohet nga Edi Rama, hetimet penale zhvillohen me regji të Edi Ramës, ky cakton radhën dhe emrat që ia kalon organit të akuzës pasi i ka flakur nga qeveria!

Që Rama të ketë patur informacione për abuzime dhe përlyerje të ministrave e zyrtarëve të lartë të partisë së tij kjo nuk mund të vihet në dyshim. Që u ka dhënë duart disave syresh për këtë shkak apo duke patur dijeni se do të merren të pandehur, edhe kjo është e besueshme. Që kryeministri të këtë dashur e të dojë të mbajë fije të tij në organin më të lartë të akuzës apo në gjykata, edhe kjo është një gjë e njohur. E shohim edhe në demokraci shumë me të vjetra e më të kondosoliduara se jona. Varet sa u shkon fjala dhe deri ku?

Nga ana tjetër nuk përjashtohet që në fillimet e veta objektivisht të matura, pse jo të ndojtura të përballjes me të paprekshëm, SPAK është ndier me komod të hetojë zyrtarë të shkarkuar se sa zyrtarë në detyrë.

Të gjitha këto përkime nuk kanë provuar ndonjëherë “teoremën” e një SPAK-u të kapur politikisht nga kryeministri. Teoremë e cila thjesht ka marrë në qafë zyrtarët që e kanë besuar, të cilët kanë shkuar me mendimin e gabuar se SPAK-un e kontrollon Shefi dhe ky nuk ka si të presë degën ku rri! Ndërkohë që nuk kanë menduar tjetrën, më të logjikshmen. Pesë vjet, katër vjet apo tre vjet më parë SPAK nuk mund të kishte dhëmbët që ka sot. Sikurse nuk do të jetë nesër ky i sotmi. Koha punon, përvoja punon, arritjet punojnë. Integriteti prokurorëve forcohet. Vetëdija dhe përgjegjësia e tyre gjithashtu. Mbështetja amerikane dhe europiane për ta do të vazhdojë. Në këtë kontekst ka ardhur kalimi i Rubikonit me marrjen të pandehur të numrit dy të qeverisë në detyrë.

Akti në fjalë e ka dizajnuar më qartë se më parë raportin mes ekzekutivit dhe drejtësisë. Kryeministri Rama nuk është “një hap para” dhe nuk dikton asgjë në agjendën e drejtësisë. Ndërkohë që drejtësia po jep prova të njëpasnjëshme të pavarësisë nga ekzekutivi. Ky është një lajm i mirë për civilizimin tonë, një shembull që po tërheq si lokomotivë rrugëtimin e vendit drejt Bashkimit Europian dhe normalitetin demokratik.

Duket qartë se ka një vullnet të shtuar, një kohezion më të madh dhe një përgatitje më të lartë të trupës së prokurorëve të posaçëm për të sfiduar pengesat e llojllojshme në misionin e tyre. Një pengesë e tillë është edhe përpjekja për të normalizuar mbajtjen e posteve të larta shtetërore nga zyrtarët që akuzohen zyrtarisht për korrupsion, shpërdorim detyre dhe krime të tjera. Askush nuk jep dorëheqjen, askush nuk guxon të hetohet duke lënë postin, një praktikë kaq e njohur në vendet perëndimore, si shprehje e vetëndjerjes i papërlyer dhe i respektit për funksionin e lartë publik.

Mbajtja me thonj e postit të kompromentuar nga akuzat penale është rëndom një përpjekje për të mbajtur pezull procesin, duke shpresuar e llogaritur frenime apo shthurje që mund të vijnë nga stërkëmbësha e përbetime bipartizane. Ku Berisha ka zgjedhur të jetë në ballë, duke zeruar përfitimet politike dhe kapitalizimin elektoral të produktit të SPAK nga Partia Demokratike.

Kurse Rama po fiton kohë ndërsa shikon ngjarjet ta kalojnë. Ç’do të bëjë me Belinda Ballukun, të cilën ka kompetencë ta shkarkojë vetë? Meqë GJKKO, me kërkësën e SPAK ka marrë vendim për pezullimin e saj nga detyra që mban, Rama njoftoi sot se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, duke e konsideruar pezullimin e ministres një akt brutal ndërhyrjeje në pavarësinë e Pushtetit Ekzekutiv. Fraza të forta nga pozita palë. Qeveria ka të drejtë të shterojë rrugën ligjore. Zonja Balluku gjithashtu. Askush nuk dëshëron që në emër të ndëshkueshmërisë të shkelet ligjshmëria. Kushtetuesja ka tangrin ta gjykojë. Por duke ushtruar një të drejtë, kryeministri u zhbalancua, duke akuzuar për reflekse antidemokratike pushtetin e ri të drejtësisë. Shumë e guximshme në gojën e dikujt që ka hesape me zgjedhjet – themeli i demokracisë – të damkosura nga OSBE si të pabarabarta.

Në fund të herës ato që peshojnë dhe përcaktojnë nuk janë pezullimet apo masat e sigurisë, por akuzat penale në aulën e gjykatës. Sado ti dhembë, përballë akuzave konkrete në adresë të ministrave apo të të zgjedhurve nga partia e tij, mendoj se Rama do të bëjë një zgjedhje që nuk vë në rrezik kalin e tij të betejës politike në këtë legjislaturë – integrimin e vendit në BE – dhe lidhur me këtë, vetë postin e tij.

Ngado që ta shohësh, askush nuk mund ta luftojë SPAK në kuptimin që ta trembë, ta dobësojë, ndalojë. Askush nuk ka bërë më shumë se prokurorët e SPAK për Republikën e ligjit në një vend ku ligji s’ka guxuar të shkelë për tri dekada në të ashtuaquajturin Olimp të pushtetit në krim dhe krimit në pushtet.

*Prec Zogaj-Drejtor i MAPO

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta