“Kur prokurori kërkon njeriun dhe jo krimin”, Rama ndan fjalimin e prokurorit amerikan: Pushteti nuk ka qenë kurrë më i denjë sesa në çastin kur…
Ditën e djeshme Sali Berisha, kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, zhvilloi një takim me Dolors Montserrat, Sekretare e Përgjithshme e Partisë Popullore Evropiane (EPP) dhe Patrick Voller, Drejtor për Marrëdhëniet me Jashtë.
Berisha nënvizoi se ‘Shqipëria sot përfaqëson narko-shtetin e parë dhe të vetëm në Evropë. Ky realitet mori formë në vitin 2015, kur kryeministri Edi Rama lejoi mbjelljen sistematike të kanabisit në të gjithë vendin, duke e shndërruar Shqipërinë në një qendër globale të kultivimit dhe trafikut të narkotikëve. Si rezultat, Shqipëria renditet e para në Europë dhe në vendin e 6–7 në botë për eksportet e kanabisit, sipas të dhënave të monitorimit ndërkombëtar.’
Ai theksoi se ‘grupet kriminale dhe të organizuara janë fuqizuar ndjeshëm falë mbrojtjes dhe mbështetjes politike të Kryeministrit Rama, duke krijuar një rrjet aktivitetesh të paligjshme që tashmë depërtojnë në ekonomi, administratë publike dhe procese zgjedhore. Partia Demokratike ka dokumentuar raste të shumta, të mbështetura nga dosje prokurorie, dokumente gjykate, investigime të medias, dhe operacione hetimore ndërkombëtar, përfshirë Sky ECC dhe EncroChat, që konfirmojnë përmasat e ekonomisë së narkotikëve dhe kapjes së shtetit në Shqipëri dhe lidhjen me krimin’.
“Mbi 1,099,000 qytetarë shqiptarë kanë lënë vendin, sipas të dhënave të EUROSTAT (vetëm në Zonën Shengen, pa llogatitur ata që kanë emigruar në Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar dhe vende të tjera). Ky largim masiv pasqyron një popullsi që nuk sheh më shpresë në një regjim që bllokon rotacionin demokratik, shtyp pluralizmin politik dhe organizon zgjrdhje farsë”, tha Berisha.
Sekretarja e Përgjithshme Montserrat shprehu shqetësimin e saj për situatën në Shqipëri dhe siguroi mbështetjen e saj të plotë dhe të PPE për Partinë Demokratike dhe objektivin e saj për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, rikthimin e demokracisë dhe forcimin e shtetit ligjor në vend.
Berisha përsëriti angazhimin e Partisë Demokratike për të mbështetur procesin e integrimit në çdo hallkë të tij, rivendosjen e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe zgjedhjeve të lira, si dhe vendosmërinë për të përballur krimin e organizuar dhe për të çmontuar strukturat e shtetit narkotik në Shqipëri.
Kryetari Berisha shoqërohej nga deputetët e PD, Albana Vokshi dhe Belind Këlliçi.
Top Channel