Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala mori pjesë në Konferencën e Nivelit të Lartë, të organizuar nga qeveria italiane dhe OSBE, e dedikuar një prej shkeljeve më të rënda të të drejtave të njeriut në kohën tonë: femicidit, vrasjes me motiv gjinor të grave dhe vajzave.
Në sesionin ministror, krah homologëve të Italisë, Greqisë, Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës, Serbisë, Qipros etj, ministrja Sala relatoi mbi fenomenin e femicidit në Shqipëri, hapat e ndërmarrë ndër vite dhe sfidat që kërkojnë veprim të menjëhershëm.
“Femicidi nuk është vetëm çështje drejtësie penale. Ai është një emergjencë shëndetësore publike, një çështje drejtësie sociale dhe një shkelje e të drejtave të njeriut e rrënjosur në pabarazi strukturore gjinore. Për këtë arsye, kemi investuar në kapacitetet e profesionistëve të vijës së parë, mjekëve, infermierëve, psikologëve dhe punonjësve socialë, që të njohin shenjat e hershme paralajmëruese dhe të veprojnë menjëherë” – u shpreh ministrja.
Ministrja Sala vuri në dukje rëndësinë e të dhënave të sakta dhe ndërtimin e mekanizmave të fortë institucionalë për parandalimin e femicidit. Ajo prezantoi rolin e Observatorit të Femicidit, i ngritur në mars 2024 nga Avokati i Popullit me mbështetjen e UN Women Albania —mekanizmi i parë i këtij lloji në Ballkan dhe ndër të paktët në Evropë.
“Kemi ngritur ekipet multidisiplinare në çdo bashki për të siguruar një përgjigje të koordinuar dhe kemi zgjeruar strehëzat dhe shërbimet e mbështetjes psikologjike, përfshirë fëmijët që mbijetojnë nga këto krime. Po punojmë drejt një sistemi ku heshtja nuk është më rruga më e lehtë.” – nënvizoi ajo.
Gjithashtu, ministrja bëri thirrje për bashkëpunim të thelluar rajonal, duke theksuar se “femicidi nuk njeh kufij” dhe se gratë e trafikuara dhe ato nga grupet vulnerabël mbeten më të rrezikuarat.
“Çdo sinjal rreziku do të trajtohet me urgjencë. Çdo zë gruaje do të dëgjohet dhe mbrohet. Çdo fëmijë i prekur nga dhuna do të marrë mbështetje të plotë. Të gjitha institucionet rajonale do të veprojnë së bashku me seriozitetin që kërkon kjo krizë e për të ndërtuar një sistem, ku mbrojtja nuk mbetet premtim, por bëhet siguri ” –deklaroi ministrja Sala, ndërsa përgëzoi Italinë për nismën e saj për të propozuar femicidin si vepër të posaçme penale, si dhe OSBE-në për punën e saj në standardizimin e të dhënave, sistemet e paralajmërimit të hershëm dhe koordinimin institucional.
Gjatë dekadës së fundit, Shqipëria ka punuar intensivisht për të harmonizuar kornizat e saj ligjore dhe politike me standardet ndërkombëtare, duke përfshirë Konventën e Stambollit, rekomandimet GREVIO, CEDAW dhe acquis të BE-së.
Top Channel