“San Siro nuk duhet shembur, ka shumë histori aty”/ Derbi dhe 70-vjetori i lindjes, legjenda Spillo rrëfehet: Kam lindur internist dhe…

21/11/2025 10:49

Alessandro Altobelli, i njohur për të gjithë si Spillo, feston 70 vjet më 28 nëntor dhe rrëfen një jetë të mbushur me futboll, emocione dhe suksese.

“Shikoj përpara, por edhe mbrapa shoh një jetë plot momente të bukura. Nga Sonnino te Latina, Brescia, Interi dhe Kombëtarja: kam marrë më shumë sesa meritoja,” u shpreh ish-sulmuesi i famshëm i “Nerazzurrëve”.

Origjina e pseudonimit ‘Spillo’ dhe hapat e parë

Pseudonimi i famshëm i mbeti që në fëmijëri, kur një mësues e quajti kështu për trupin e tij të gjatë dhe të dobët. “Kur shkova te Inter peshova vetëm 66 kg,” kujton Altobelli me humor. Ai tregon se fëmijëria në një fshat pa fusha futbolli e ndihmoi të zhvillonte teknikën: “Nëse gabonim, topi binte në një humnerë dhe humbiste. S’kisha luksin të gabohesha.”

Nga Latina te Interi dhe goli historik në Botëror

Altobelli përshkruan sakrificat e rinisë, kalimin në Serie C, pastaj në Brescia në moshën 16-vjeçare, dhe më pas ëndrrën te Interi. Kulmi absolut? “Fitorja e Botërorit 1982 dhe goli në finale. Ishte gëzimi më i madh i jetës sime.”

Momenti më i vështirë mbetet largimi nga Interi, klubi i zemrës: “Kam lindur interist dhe do të jem përjetë.”

Kalimi te Juventusi dhe raportet me shokët e skuadrës

Altobelli pranon se te Juventus u prit mirë, por dhimbja e largimit nga Interi mbeti: “Ndoshta Trapattoni e Pellegrini kishin frikë nga roli im në grup, sepse mbaja lidhjet mes lojtarëve.” Ai kujton me respekt figurat që e kanë shoqëruar në karrierë: nga Nando që e çonte në stërvitje, tek Saleri në Brescia, e deri te trajneri Bersellini që e formoi si lojtar.

Rekordi te Interi dhe emocionet e derbit

Me 209 gola, Altobelli është ende i dyti golashënues më i mirë në historinë e Interit, vetëm pas Meazzas. “Jam i pari mes të gjallëve,” thotë me ironi. Pret që shpejt ta kapë Lautaro, “merituar”.

Nga të gjitha ndeshjet, veçon Inter-Juventus 4-0 në 1979: “Shënova tre gola dhe dhashë asist. E paharrueshme.” Për derbin e Milanos thotë se mbetet ndeshja më e veçantë: “Një gol kundër Milanit e mbaje mend për një vit.”

Futbolli i sotëm, VAR-i dhe bomberët modernë

Altobelli beson se bomberët e rinj frenohen nga presioni i hershëm i trajnerëve: “Nëse gabojnë, qortohen. Duhet më shumë liri.” Për Lautaron thotë: “Edhe nëse nuk qesh, rëndësi ka të shënojë. Është ndër më të fortët në Europë.”

Sa i përket futbollit të sotëm, është nostalgjik: “Më pëlqenin debatet për moviolën. Sot VAR e sheh gjithçka, por prapë gabojnë.”

“San Siro s’duhet të shembet. Është histori”

Spillo shprehet kundër prishjes së Meazzas: “Ishte një nga lajmet më të këqija që kam dëgjuar. Shembja e San Siros do të thotë fshirja e historisë së Interit dhe Milanit. Monumentet nuk shemben.”

70-vjetori, derby-u dhe festa në Sonnino

Në prag të ditëlindjes, Altobelli shpreson në një dhuratë nga Interi në derbi: “Më kanë ftuar për një festë të vogël. Nuk bëj parashikime, derby-t janë të paparashikueshëm.”

Sa për celebrimin e 70 viteve? “Në Sonnino po organizojnë tre net të mëdha me këngëtarë e miq të futbollit.”

Nëse do të bënte tatuazhe? “Do të vendosja Kupën e Botës, Scudetton e Interit, Kupën e Italisë dhe emrat e familjes. Por s’do më dilte vendi…”

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta