Volodymyr Zelensky u shpreh i gatshëm për atë që e quajti “punë të ndershme” me SHBA-në, pasi mori në dorë draftin e planit të paqes, që synon fundin e konfliktit të vendit të tij me Rusinë.
Sipas disa mediave amerikane, plani parashikon që Kievi të heqë dorë nga zona e Donbasit në lindje të Ukrainës që ende kontrollon, të zvogëlojë madhësinë e ushtrisë dhe të angazhohet se nuk do të anëtarësohet në NATO. Nuk është e qartë se sa e përfshirë ka qenë Ukraina në hartimin e planit, por sekretarja e Shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se SHBA-ja është angazhuar “në mënyrë të barabartë me të dyja palët”.
Në një deklaratë të veçantë, zyra e Zelenskyt tha se Ukraina kishte “rënë dakord të punojë mbi dispozitat e planit në një mënyrë që do të sillte një përfundim të drejtë të luftës”. Sipas një drafti të planit, i publikuar i plotë nga Financial Times dhe Axios, ushtria ukrainase do të kufizohet në 600,000 vetë personel, ndërsa në Poloni do të vendosen avionë luftarakë europianë për të mbrojtur Ukrainën në rast sulmesh të reja. Në Ukrainë nuk do të shkelin ushtarë të NATO-s, por sipas planit asaj do ti ofrohen garanci të forta sigurie. Kështu, çdo sulm i armatosur “i rëndësishëm, i qëllimshëm dhe i vazhdueshëm” i ardhshëm nga Rusia kundër Ukrainës “do të konsiderohet si një sulm që kërcënon paqen dhe sigurinë e komunitetit transatlantik” dhe do të shkaktojë një përgjigje nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, përfshirë një përgjigje ushtarake.
Rusia, Ukraina dhe Europa ndërkohë do të nënshkruajnë një pakt mos-agresioni. Brenda 100 ditësh nga marrëveshja, në Ukrainë do të mbahen zgjedhjet. Plani parashikon gjithashtu që Rusia të “reintegrohet në ekonominë globale” përmes heqjes së sanksioneve dhe ftesës për t’iu bashkuar sërish G7-ës — duke e kthyer atë në G8. Analistët mendojnë se nëse konfirmohet plotësisht, kërkesat e planit duket se më shumë favorizojnë interesat e Moskës. Zelensky tha se pritet të flasë me presidentin amerikan Donald Trump në ditët në vijim për propozimet, të cilat përfshijnë edhe heqjen dorë nga një pjesë e madhe e armëve të Ukrainës. Por në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë, Leavitt hodhi poshtë sugjerimet se plani kërkon lëshime të mëdha nga Ukraina, duke thënë se presidenti amerikan “e mbështet” atë. I dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, dhe sekretari i Shtetit, Marco Rubio, kanë punuar në heshtje për rreth një muaj mbi një propozim, dhe janë angazhuar me të dyja palët “për të kuptuar se për çfarë do të ishin të gatshme të angazhoheshin këto vende për të garantuar një paqe të qëndrueshme dhe afatgjatë”, pohoi zëdhënësja.
“Është një plan i mirë si për Rusinë ashtu edhe për Ukrainën. Ne besojmë se duhet të jetë i pranueshëm për të dy palët. Dhe po punojmë shumë për ta finalizuar”, thotë Caroline Leavitt, zëdhënëse e Trump.
Një zyrtar i lartë amerikan, që foli në kushte anonimiteti për CBS News, tha se plani “u hartua menjëherë pas diskutimeve me një ndër anëtarët më të lartë të administratës së Zelenskyt, Rustem Umerov, i cili ra dakord me pjesën më të madhe të planit, pas disa modifikimeve, dhe ia paraqiti atë presidentit Zelensky.
Top Channel