Zhvillimi i turizmit të përbashkët mes Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut ishte në qendër të takimit të parë të Forumit të Komunitetit të Prespës.
Kryebashkiakët e Pustecit, Prespës dhe Resnjës u mblodhën për të diskutuar hapat konkretë drejt bashkëpunimit ndërkufitar dhe zhvillimit të qëndrueshëm të zonës së liqenit.
Kryebashkiaku i Pustecit, Pali Kolefski, u shpreh se bashkëpunimi është thelbësor për të kapërcyer sfidat aktuale dhe për të krijuar më shumë mundësi zhvillimi për komunitetin.
Ndërkohë, kryebashkiaku i Prespës në Greqi, Georgios Stergiou, theksoi rolin e bashkisë së tij si pjesë e një vendi të BE-së: “Po synojmë ta kthejmë Prespën në një destinacion unik. Besojmë se mund të tejkalojmë vështirësitë dhe po kërkojmë forma të reja bashkëpunimi. Si bashki e një vendi të BE, ne kemi përgjegjësi të mbështesim partnerët tanë dhe të kontribuojmë në arritjen e objektivave të përbashkëta.”
Kryebashkiaku i Resnjës, Jovan Tozievski, u ndal te rëndësia e projekteve të përbashkëta: “Duam të avancojmë drejt zhvillimit të turizmit dhe të rrisim mundësinë për të përfituar projekte nga BE. Synimi është të lidhim historinë e gjithë zonës së Prespës dhe ta ofrojmë si paketë të plotë për turistët.”
Gjatë takimit u vendos theksi edhe te përfshirja e të rinjve dhe grave, me qëllim që Prespa të zhvillohet si një rajon gjithëpërfshirës dhe bashkëkohor.
Top Channel