Seanca maratonë 16 orë, maxhoranca miraton me 83 vota buxhetin. Braçe nuk merr pjesë në votimin e pr.ligjit për taksat vendore, Sinaj “paqen fiskale”

20/11/2025 02:48

Maxhoranca socialiste ka miratuar me 83 vota, 32 kundër dhe 0 abstenim 9 projektligje të rendit të ditës që kanë të bëjnë me buxhetin e vitit të ardhshëm, paqen fiskale dhe rivlerësimin e pasurive.

Seanca maratona zgjati rreth 16 orë dhe u shoqërua me debate të ashpra mes shumicës dhe opozitës. 

Gjatë votimit ra në sy fakti që deputeti Erion Braçe nuk mori pjesë në votim vetëm për projektligjin për taksat vendore, ndërsa deputeti Vullnet Sinaj nuk votoi dy projektligjet “Për marrëveshjen e paqes fiskale” dhe “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e të detyrimeve të pagueshme në doganë”. 

Kryeministri Rama mbrojti buxhetin dhe investimet e parashikuara për vitin e ardhshëm, ndërkohë që opozita protestoi në mënyrë simbolike duke i kthyer kurrizin. 

Në këtë seancë, u rikthye edhe zv.kryeministrja Belinda Balluku e cila foli për herë të parë pas marrjes si e pandehur nga SPAK për tunelin e Llogarasë. 

Ajo nuk bëri të qartë nëse do të vazhdonte detyrën e saj, apo do të jepte dorëheqjen, por tha se nuk do të flasë kundër kurrë drejtësisë. 

Balluku i drejtoi gishtin opozitës kur tha se flasin me dy standarde, por nuk dha asnjë shpjegim për akuzën e SPAK për shkeljen e barazisë në tendera, ku akuzohet se ka anuluar tenderin e parë me vlerën 140 milionë euro dhe ka diktuar fituesin e tenderit të dytë që shkoi 190 milionë euro. 

 

Votimi

Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Votimi: 83 pro, 31 kundër

Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”

Votimi: 83 pro, 32 kundër

Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 29, datë 30.3.2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”

Votimi: 83 pro, 32 kundër

Projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar

Votimi: 82 pro, 32 kundër (Braçe nuk voton)

Projektligji “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, të ndryshuar

Votimi: 83 pro, 32 kundër

Projektligji “Për marrëveshjen e paqes fiskale”

Votimi: 82 pro, 32 kundër (Sinaj nuk voton)

Projektligji “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”

Votimi: 83 pro, 31 kundër

Projektligji “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e të detyrimeve të pagueshme në doganë”

Votimi: 82 pro, 30 kundër (Sinaj nuk voton)

Projektligji “Për buxhetin e vitit 2026”

Votimi: 83 pro, 32 kundër

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta