“Luftë” amerikano-kineze për portet e Greqisë/ Pekini kundër deklaratave të ambasadores amerikane: Po njollos bashkëspunim ekonomik

20/11/2025 10:00

Ambasada e Kinës në Athinë ka reaguar ashpër pas deklaratave të ambasadores së re amerikane, në Greqi, Kimberly Guilfoyle, e cila në një intervistë e quajti “të pafat” faktin që porti i Pireut i kaloi kolosit kinez COSCO-s dhe la të kuptohej se “ka mënyra për ta anashkaluar këtë” duke sugjeruar që Greqia duhet të “shesë portin për të kundërbalancuar ndikimin kinez.

Kjo deklaratë sipas përfaqësisë diplomatike të Pekinit, përbën ndërhyrje të papranueshme në çështjet e brendshme të vendit dhe një përpjekje të hapur për të njollosur bashkëpunimin ekonomik mes Greqisë e Kinës.Në reagimin zyrtar, zëdhënësi i ambasadës kineze thekson se komentet e diplomates amerikane janë “sulme të pabazuara” ndaj investimit kinez në Pire dhe pasqyrojnë “mentalitet të Luftës së Ftohtë dhe logjikë hegjemone”. Sipas tij, SHBA-të po përpiqen të përdorin portin e Pireut dhe vetë Greqinë për qëllime gjeopolitike, duke i shërbyer vetëm interesave të tyre strategjike.

Pekini kujton se bashkëpunimi mes Kinës dhe Greqisë është ndërtuar mbi “mbështetje të ndërsjellë, pa llogaritje gjeopolitike”, duke nënvizuar se gjatë krizës së borxhit, Kina i qëndroi pranë Greqisë dhe investimi i COSCO-s e transformoi Pireun në një nga portet më të rëndësishme të Mesdheut dhe të Europës, duke hapur dhjetëra mijëra vende pune dhe se “porti i Pireut i përket përgjithmonë popullit grek” .

Reagimi i ambasadës kineze në Athinë vjen në një moment kur rivaliteti gjeopolitik mes SHBA-ve dhe Kinës në Greqi është bërë më i dukshëm se kurrë, veçanërisht pas lëvizjeve të fundit të Uashingtonit në portin e Elefsinës. Vetëm pak ditë më parë, ambasadorja e re amerikane Guilfoyle zhvilloi takime intensive me ministrin grek të Zhvillimit, Takis Theodorikakos, duke finalizuar një marrëveshje të rëndësishme për zgjerimin e aktiviteteve të kompanisë amerikane ONEX në Elefsinë, me mbështetjen e drejtpërdrejtë të bankës shtetërore amerikane të zhvillimit, DFC.

Amendamenti lejon rritjen e investimeve amerikane në port, dhe shndërrimin në një qendër strategjike të ndërtimit dhe mirëmbajtjes së anijeve, duke krijuar një pol të ri ekonomik me prani të fortë amerikane.Marrëveshja pritet të miratohet nga parlamenti grek brenda ditëve të ardhshme.

Ky zhvillim nuk është vetëm ekonomik; shihet gjerësisht si kundërpeshë ndaj ndikimit të COSCO-s në portin e Pireut, por edhe ndaj investimeve kineze dhe ruse në portet e tjera kryesore të Greqisë.  Në këtë kontekst, marrëveshja për Elefsinën dhe deklaratat për Pireun po shndërrohen në dy fronte të një gare të re ndikimi, ku Greqia gjendet në qendër të interesave strategjike të dy superfuqive.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta