Nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj ka reaguar pas takimit me Komisioneren për Zgjerim Marta Kos.
“I shpreha mirënjohjen time dhe të Partisë Demokratike për mbështetjen e palëkundur të Bashkimit Europian ndaj procesit të integrimit të Shqipërisë. PD ka ardhur në skenën e historisë me premtimin “Shqipëria si gjithë Europa” dhe ka qëndruar gjithmonë besnike këtij parimi.
Ne e mbështesim fuqimisht integrimin europian si një proces kombëtar, jo partiak, dhe kërkojmë që Shqipëria të ecë drejt BE-së sipas parimit të meritokracisë dhe standardeve.
Në themel të këtij procesi qëndrojnë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Raporti i fundit i evidenton qartë shqetësimet për zhdukjen e kufirit mes partisë dhe shtetit, si dhe faktin se lideri historik i opozitës, Sali Berisha, dhe lider të tjerë kanë qenë në arrest gjatë gjithë vitit elektoral — një rrethanë që e ka lehtësuar fitoren e kundërshtarëve politikë dhe ka deformuar konkurrencën.
Një tjetër kriter themelor është funksionimi demokratik i Parlamentit.
Deformimi i zgjedhjeve ka sjellë edhe deformimin e vetë Parlamentit.
Në vetëm pak muaj:
– Janë rrëzuar tre kërkesa për komisione hetimore parlamentare;
– Janë refuzuar dy kërkesa për interpelanca;
– Janë bllokuar mjetet kryesore që Kushtetuta i jep opozitës për të ushtruar kontroll mbi ekzekutivin.
Siç e dini edhe nga vërejtjet e Progres-Raportit, kontrolli parlamentar mbi qeverinë në Shqipëri është i dobët, pikërisht sepse opozita nuk lejohet të ushtrojë funksionet që i njeh rregullorja dhe praktika demokratike europiane.
Dua të jem i hapur: ne ende nuk e kemi marrë zyrtarisht raportin, por jemi njohur me të përmes mediave.
Për më tepër, dje Parlamenti votoi ligjin për “paqen fiskale”, i cili sipas nesh krijon terren të rrezikshëm për pastrimin e parave të pista në vend.
Ky shqetësim lidhet drejtpërdrejt me konstatimet e raportit të DASH mbi klimën e investimeve në Shqipëri, ku theksohet se shumë nga kullat që po mbijnë kudo janë me burime të dyshimta financimi.
Këto dyshime i kanë ngritur jo vetëm institucionet amerikane, por edhe prokuroritë e vendeve mike si Italia dhe Belgjika, si dhe media prestigjioze ndërkombëtare, që flasin hapur për ndikimin e segmenteve të krimit të organizuar dhe narkotrafikut në ekonomi.
Në këtë kontekst, mbështetja që vjen nga Brukseli nuk duhet lexuar nga qeveria si leje për të shtuar kontrollin, por si hapësirë e domosdoshme për opozitën, si një paralajmërim i qartë që standardet europiane kërkojnë më shumë demokraci, jo më pak; më shumë transparencë, jo më shumë arrogancë; më shumë hapje, jo më shumë mbyllje.
Ne mbetemi të vendosur që Shqipëria të ecë drejt BE-së përmes standardeve, reformave të vërteta dhe institucioneve të pavarura. Integrimi europian nuk mund të ndërtohet mbi shkeljen e zgjedhjeve, deformimin e parlamentit dhe pastrimin e parave të dyshimta”-shkruan Gjekmarkaj.
Top Channel