Pagliuca dhe të pathënat e tij: Interi im është vjedhur vazhdimisht, Sampdoria? Netë në disko; pak alkool, shumë femra…

19/11/2025 19:36

Nëse Gianluca Pagliuca do të vizatonte trekëndëshin e jetës së tij, këndi i parë do të ishte Xhenova ku ka fituar me Sampdorian dhe ku është afirmuar si portier i nivelit botëror. Dy këndet e tjerë i takojnë Milanos ku qëndroi 5 vjet te Interi me Ronaldon e Vierit dhe Bolognas, shtëpisë së tij. Ish portieri i Të Kaltërve bën një rrëfim të plotë për të përditshmen ‘La Gazzetta Dello Sport’ duke folur pa dorashka

Pagliuca, e nisim me Sampdorian. Ai i titullit në Serie A, ishte një vit i jashtëzakonshëm

‘Flitet vetëm për sezonin e titullit dhe të finales së Kupës së Kampioneve, por kemi bërë shumë kampionate të një niveli të lartë. Kemi qenë një grup I shkëlqyer’

Në stol ishte Boskov. Thuhet se ishin Mancini e Vialli që e bënin formacionin në vend të tij…

‘Të vendosim edhe Vierchwood;ishin këshilltarët e tij të besuar. Por të jetë e qartë, nuk ishin ata që komandonin. Diskutonin, por vendimet I merrte gjithnjë Boskov’

Folëm për Viallin. Cfarë kujtimesh ju ka lënë Gianluca?

‘Ishte një njeri i mrekullueshëm, dikush që t’i thoshte gjërat në sy. Edhe për këtë arsye nuk jemi zënë kurrë. Njoha një njeri të vërtetë, dinte të ishte një lider në fushë dhe shef grupi në mbrëmje’

Në Xhenova, në ato vite thuhej se ju ishit të dhënë pas lokaleve…

‘Është e vërtetë, nuk e mohoj. Gjithnjë më ka pëlqyer të bëj festa. Kam qenë me shumë femra, nuk më pëlqente shumë të pija, por dija si të argëtohesha

Kush ishin shokët tuaj në diskotekë?

‘Ishin shumë. Në vitin e titullit me Sampdorian ishte ky rit; shkoja në Bologna të hënën, festoja në darkë dhe të martën isha në Bogliasco për t’u stërvitur. Dhe në fushë fitonim cdo ndeshje. Kujtoj njëhere, kur takova Viallin në Bologna, më kishte bërë një surprise. ‘Duhet të më durosh edhe këtu’ më bërtiste ndërsa më përqafonte’

Boskov e dinte?

‘Të premten na rekomandonte mua dhe Marco Lanna që të ishim profesionistë deri në ditën e ndeshjes. ‘Mbyllni rubinetat’ na thoshte dhe ne shpërthenim në të qeshura’

Ishit një grup shumë i lidhur. Është e vërtetë që është akoma chat aktiv në Whatsapp?

‘Po! E përdorim shpesh. Duhet te them se në tragjedi, vdekja e Gianluca na bashkoi akoma më shumë. Edhe ai shkruante shpesh, ishte shumë aktiv në grup’

Fitorja me Barcelonën në finale do të ishte mbyllja perfekte e ciklit?

‘Sigurisht që po. Do ta meritonim. Mbetet një plagë që nuk do të mbyllet kurrë’

Meqë ra fjala te finalet e humbura, dy vjet më vonë erdhi humbja në Pasadena. Shumë prej shokët e tu e kanë përshkruar si një makth që po përjetohet prej 30 vitesh. Kështu është edhe për ju?

‘Unë akoma nuk fle. Më ndodh që të zgjohem natën dhe të rishoh videot e penalltive. Zgjohem dhe i them vetes ‘hidhu në të djathtën’. Në fakt më zhvendosën 3 herë. E prita një, por nuk mjaftoi. Nuk e heq nga mendja imazhin: unë që eci 1 m larg kupës. Mund ta prekja, ishte atje…’

Ajo ishte finalja e ‘Ai është i çmedur’ që Baggio i tha Sacchit. Ishit ju që shkaktuat atë zëvendësim…

‘Eh po, unë u ndëshkova me karton të kuq dhe hyri Marchegiani. Unë dhe Robi u takuam në dhomat e zhveshjes dhe për gjysmëore pati një heshtje absolute. Na mjaftoi një shikim për t’u kuptuar

Atë verë ju kaluar te Interi i Morattit. Në 5 vjet fituat vetëm një Kupë UEFA në Paris. Meritonit më shumë?

‘Po absolutisht. Në 1998 pësuam një sërë vjedhjesh të vazhdueshme. Juventus ishte një skuadër e madhe,por ne ishim më të fortë dhe meritonim. Faulli i Iulianios  ndaj Ronaldos mbetet një njollë e pashlyeshme. Më hoqën një titull. Ishte një skandal…dhe sa here e rimendoj zemërohem’

Është e vërtetë që ishit pranë kalimit te Manchester United?

‘Më donte Ferguson, por Interi sapo kishte marrë Ronaldon dhe unë nuk kisha ndërmend të largohesha; isha në një skuadër me Fenomenin,lojtarin më të fortë që kisha parë në të gjithë karrierën time. Për më tepër, as Moratti nuk donte të më linte të largohesha. Premier League në atë kohë ishte më pak tërheqëse se Serie A. Sot ndoshta do të bëja një tjetër zgjedhje. Në atë kohë, më të mirët vinin luanin te ne’

A ka pasur ndonjë mundësi tjetër?

‘Kur isha te Sampdoria më mori në telefon Mazzone. Romën sapo e kishte blerë Sensi dhe donin që të rindërtoheshin. Por unë në Xhenova ndihesha mirë dhe refuzova’

Në kohën kur ishit te Sampdoria u bëtë protagonist i një aksidenti me makinë. Porsche juaj u shkatërrua krejt, ju shpëtuat falë airbag. Ka pasur  ndonjë përplasje me gazetarët për gabim në shpërndarjen e lajmit?

‘Përplasje jo, por në lajme e ekzagjeruan pak. Shqetësohesha sidomos për nënën time, kishte dëgjuar që isha në gjendje të rëndë dhe u tremb. Ishte një aksident i rëndë, por ia hodha me një frakturë në klavikul’

Deri përpara pak sezonesh ishit përgatitës i portierëve te skuadra Primavera e Bolognas, për një vit drejtuar lojtarët e rinj kuqeblu; çfarë trajneri është Pagliuca?

‘Do të thoja i rreptë. Në dhomat e zhveshjes i kapja pak lojtarët për veshi dhe flokësh: ‘nuk po stërvis indianë’ iu thoja. Më pëlqen t’iu mësoj që të mos dorëzohen dhe të shohin përtej pengesave. Kështu arrihet në majë’

 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta