“Liria fillon me padrejtësi dhe mbaron me një popull që qëndron në këmbë”/ Spiropali përshëndet fjalën e gjeneralit amerikan në Hagë

19/11/2025 16:38

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali ka ndarë një video në rrjetin e saj në Facebook, ku tregon një fjalim të gjeneralit amerikan Wesley Clark në sallën e Hagës.

Ndërsa video e Clark rikujton se ka momente në histori kur populli ngrihet jo për dhunë po për të mbrojtur dritën e vetë, Spiropali u shpreh se edhe bijtë e Kosovës u ngritën për dinjitet për të drejtën dhe për lirinë.

“Dje, në sallën e Hagës, gjenerali amerikan Wesley Clark rikujtoi para botës një të vërtetë të thjeshtë: se ka momente në histori kur një popull ngrihet jo për dhunë, apo për pushtet, por për të mbrojtur dritën e vet.

Ashtu siç luftuan bijtë e lirisë në kontinentin amerikan në vitet 1770, edhe bijtë e Kosovës u ngritën për dinjitet, për të drejtën për të jetuar të lirë.

E njëjta dritë, i njëjti zjarr, sot digjet në Ukrainë.

Liria ka gjithmonë të njëjtin ritëm: fillon me një padrejtësi, rritet me një zë që nuk pranon heshtjen dhe mbaron me një popull që qëndron në këmbë.

Shqipëria qëndron krah atyre që zgjodhën dhe zgjedhin lirinë”, shkruan Spiropali.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta