Klubi i Filmit “Mësojmë nga e Kaluara” është nisma që nisi me bashkëpunimin e Arkivit Qendror të Filmit dhe Autoritetit të Dosjeve, me qëllim reflektimin mbi mënyrën se si kinemaja e periudhës komuniste iu nënshtrua censurës së regjimit dhe ndikoi në formësimin e kulturës shoqërore.
“Kur flasim për historinë e filmave të komunizmit, të gjithë biem dakord që është bërë art. Por, si shumë gjëra në atë kohë, nuk bëhej vetëm art, por bëhej censurë, propagandë”, tha Gentiana Sula.
“Kam vënë re që ne e shohim të shkuarën me sytë e të tashmes. Por, nuk mund të kritikojmë në maksimum, të hedhim poshtë të shkuarën. Ka një dialog që duhet vlerësuar sipas kohës në të cilën është ndërtuar”, u shpreh Eljan Tanini.
Anëtarët e Autoritetit të Dosjeve theksoi rëndësinë e ndërtimit të mendimit kritik përmes filmave të prodhuar gjatë viteve ’44–’91.
“Në leximin e përgjithshëm të kësaj situate, do të hasim shumë të pavërteta. Kështu që duhet të qartësojmë me sa kemi mundësi të vërtetën veçanërisht për të rinjtë”, tha anëtari i AIDSSH, Gjergj Marku.
Disa prodhimet kinematografike të diktaturës kanë shtrëmbëruar perceptimin mbi të ashtuquajturat reforma, ashtu sikurse “Toka Jonë” e shkruar nga Kol Jakova, që pjesëmarrësit e analizuan në takimin e parë të Klubit.
“Në 1949, filloi propaganda kundër kulakëve, për të përpunuar opinionin publik shqiptar. Partia Komuniste krijoi një armik të brendshëm politik, parinë lokale, e cila e damkosur si kulake u shndërrua në objekt të luftës së klasave në një shoqëri pa klasa. Lufta e klasave në një shoqëri pa klasa është terrorizëm. Shqipëria nuk do të bëjë progres nëse nuk denoncon këtë krim të madh.
“Toka Jonë” ka si personazh negativ Gjon Sykun, i portretizuar në film përmes figurës së Tuc Makut, një fshatar i pasur i Bregut të Matit, të cilin regjimi e etiketoi kulak dhe e shënjestroi si pjesë të një familjeje të shpallur armike të pushtetit komunist”, u shpreh juristi dhe studiuesi Xhafer Sadiku.
“Duke qenë se fisi Syka ishte më i madhi, u mundua që filmin ta lidhte me këtë fis, duke qenë se edhe kishte qenë në shtëpinë e tyre. Këto personazhe, që iu konfiskuan pronat, në film dalin sipas ideologjisë së partisë, pra të transformuar, iu vunë epitete negative”, tha studiuesi Edlir Orhani.
“Të luash gurët e kufirit është barza me të luash eshtrat e të vdekurve. Kufiri tokësor nuk mund të lëvizte përveçse me gjak”, tha Anxhela Çikopano.
Për nipin e Gjon Sykut, politika e ndëshkimit klasor dhe kolektivizmi dëmtoi rëndë shoqërinë shqiptare.
“Vepra ‘Toka jonë’ dhe më pas filmi, ka qenë një kartë në dorën e Sigurimit, në mënyrë që të vazhdonin përndjekjen më të fortë, impakti i kësaj filozofie komuniste ka qenë shumë i madh në shoqëri”, u shpreh David Syka.
Klubi i Filmit synon të kuptohet më qartë lidhja mes artit, propagandës dhe shtypjes së grupeve shoqërore gjatë komunizmit.
Top Channel