Kate Middleton mban fjalimin e saj të parë në publik pas dy vitesh: Dashuria është lidhja e parë dhe më thelbësorja

18/11/2025 22:14

Kate Middleton ka mbajtur fjalimin e saj të parë publik në dy vjet, duke u kërkuar udhëheqësve të biznesit të japin përparësi “kohës dhe dashurisë” krahas fitimit dhe suksesit.

Princesha e Uellsit foli në eventin e Grupit të Punës për Biznesin e Fëmijërisë së Hershme, përpara udhëheqësve më të lartë të biznesit në Britani. Ishte fjalimi i saj i parë publik që nga nëntori i vitit 2023. Që atëherë, ajo ka postuar mesazhe të regjistruara në mediat sociale, duke përfshirë edhe rreth rikuperimit të saj gradual nga kimioterapia, por ky ishte fjalimi i saj i parë ballë për ballë.

“Përkushtimi im dhe puna e Qendrës për Fëmijërinë e Hershme është e rrënjosur në një të vërtetë themelore, dashuria që ndiejmë në vitet tona të para formëson në thelb atë që bëhemi dhe mënyrën se si lulëzojmë si të rritur”, tha Kate Middleton.

Ajo e përshkroi dashurinë si “lidhjen e parë dhe më thelbësore”, por edhe si “fijen e padukshme, të endur me kalimin e kohës, me kujdes dhe butësi, përmes marrëdhënieve të qëndrueshme dhe të dashura, për të krijuar mjedisin thelbësor rreth një fëmije”.

Kate u foli sipërmarrësve rreth nevojës që familjet të jenë në gjendje t’u ofrojnë një mjedis mbështetës fëmijëve të tyre dhe u bëri thirrje atyre të rishqyrtojnë vendet e tyre të punës dhe të krijojnë një model të ndryshëm për prioritetet e tyre, në të cilin kompanitë do të “vlerësonin kohën dhe dashurinë aq sa vlerësojnë produktivitetin dhe suksesin”.

Mesazhi qendror i Princeshës për udhëheqësit e biznesit të pranishëm ishte një sfidë e qartë, të rimendonin rolin e tyre në shoqëri. Kate Middleton theksoi se çdo mjedis, një shtëpi, një biznes, një vend pune, është një ekosistem që vetë njerëzit bëjnë përpjekjet e tyre për ta bërë të funksionojë siç duhet. “Në Qendrën për Fëmijërinë e Hershme, ne besojmë se duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të krijuar kushtet që dashuria të lulëzojë. Në këtë mënyrë, ne investojmë në të ardhmen tonë”, tha ajo. Rivendosja e dinjitetit në “punën e qetë, shpesh të padukshme të kujdesit” është, sipas Princeshës, çelësi për ndërtimin e një shoqërie më të lumtur dhe më të shëndetshme.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta