Wesley Clark, njeriu që udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër objektivave ushtarake serbe në 1999-tën, doli përpara gjykatës në Hagë në cilësinë e dëshmitarit të fundit të mbrojtjes së Hashim Thacit.
Gjenerali në pension, insistoi se Thaçi nuk ishte komandanti ushtarak i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai kujtoi sesi e kishte takuar disa herë, përfshirë me delegacionin shqiptar në bisedimet e paqes në Rambuje.
“Kur u takova me të herën e tretë, unë kërkova ndihmë, por nuk mora asnjë ndihmë, sepse ai nuk ia kishte idenë fare se çfarë po ndodhte”, deklaroi ish-komandanti suprem i Forcave tw NATO-s, Wesley Clark.
Clark madje hyri në detaje e tregoi se i kishte kërkuar Thaçit t`i tregonte se në cilat pika ndodhej saktësisht ushtria serbe dhe në cilat UÇK-ja, në mënyrë që gjatë bombardimeve të shmangeshin civilët.
“Unë e pyeta ku janë ata dhe ku jeni ju? Ku duhet të sulmoj unë në terren, cilat janë shënjestrat e mia? Ai nuk më dha asnjë përgjigje”, tha Clark.
Gjenerali nuk besonte se udhëheqja e UÇK-së ishte e angazhuar në një përpjekje të koordinuar për të shënjestruar dhe sulmuar serbët apo pakicat, dhe as se Thaçi kishte ndonjë arsye të veçantë për t’u angazhuar në një sjellje të tillë.
Ai pohoi sakaq se pas vrasjes së familjes Jashari, kishte marrë informacionin se shqiptarët do të kundërpërgjigjeshin, ngjarje që, sipas tij, paralajmëroi përshkallëzim të konfliktit.
Top Channel