Rrëfimet që dolën në dritë pas 20 vitesh, zbulimi i BBC: Dy marinsa amerikanë të implikuar në vrasjen e një familjeje në Irak, pse nuk u dënuan kurrë?

17/11/2025 07:24

Një hetim i ri i ‘BBC Eye’ ka zbuluar prova që implikojnë dy marinsa amerikanë në vrasjen e një familjeje irakiane gjatë masakrës së Hadithës në vitin 2005, një nga episodet më të errëta të Luftës në Irak, ku u vranë 24 civilë, përfshirë gra dhe fëmijë.

Theksohet se asnjë ushtar amerikan nuk u dënua për këto vrasje.

Safa Younes, atëherë vetëm 13 vjeçe, ishte e vetmja që mbijetoi pasi u shtir sikur kishte vdekur pranë trupave të vëllezërve e motrave të saj. Ajo rrëfen se marinsat hynë me dhunë në shtëpi dhe hapën zjarr pa paralajmërim, ndërsa babai i saj u qëllua teksa hapi derën.

Hetimi i BBC-së sjell dëshmi të reja nga një ekspert, Michael Maloney, i cili thotë se provat e vjetra, përfshirë dëshmitë e marinsave, tregojnë qartë se dy ushtarë, Humberto Mendoza dhe Stephen Tatum, kanë qenë autorët e të shtënave brenda dhomës ku u vranë 7 anëtarët e familjes së Safas.

Në një regjistrim audio të zbuluar së fundmi, Mendoza pranon se hyri në dhomë, duke kundërshtuar deklaratat e tij të mëparshme, ndërsa Tatum në disa dëshmi ka pranuar se ka qëlluar fëmijë, edhe pasi i ka identifikuar qartë si të tillë. Të dyja këto dëshmi nuk u përdorën kurrë në gjyq.

Megjithatë, procesi gjyqësor u shemb, pasi prokurorët u dhanë imunitet shumicës së marinsave të përfshirë. Në fund, vetëm komandanti i skuadrës, Frank Wuterich, u gjykua, por akuzat ndaj tij u rrëzuan në një marrëveshje që e la me një dënim minimal për “neglizhencë”.

Eksperti Maloney thotë se provat e zbuluara sot tregojnë qartë se Mendoza dhe Tatum janë dy marinsat përgjegjës për ekzekutimin brenda dhomës.

Safa, sot 33 vjeçe dhe nënë e tre fëmijëve, thotë se ende nuk e kupton pse asnjë marins nuk është dënuar. “Është sikur ndodhi dje. Dua që ata që e bënë këtë të mbajnë përgjegjësi. Kanë kaluar gati 20 vjet pa drejtësi dhe kjo është krimi i vërtetë,” deklaron ajo.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta