Pezullohen anijet, merren masa në pritje të stuhisë që është lajmëruar nga mesnata

17/11/2025 15:21

Në Vlorë, Fier dhe Durrës autoritetet po marrin masa për të përballuar reshjet me intensitet që pritet të bien 48 orët e ardhshme.

Punonjës, specialistë dhe inxhinierë të Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit në Qarkun e Fierit kanë kaluar në gjendje alerti pas parashikimeve për reshje gjatë ditëve në vijim. Zona të banuara si Hambari, Kashishti dhe Pishë Poro do të jenë  nën monitorim të  vazhdueshëm për të  parandaluar vërshimet e lumit Vjosa.

Në prefekturën e Vlorës u mblodh sot Komisioni i Mbrojtjes Civile, për tu koordinuar dhe ndarë detyrat konkrete çdo institucioni që të garantohet reagim i shpejtë në rast përkeqësimi të situatës.

Në këtë takim është kërkuar me urgjencë ndërhyrja në digën e lumit Vjosë me hedhjen e inerteve ne digë, pasi Novosela mbetet më e rrezikuara nga përmbytjet.

Kushtet atmosferike janë përkeqësuar edhe në brigjet e Adriatikut duke ndikuar aktivitetin detar. Anijet e vogla dhe anijet e peshkimit kanë pezulluar lundrimet në Durrës e Vlorë.  Tragetet e linjës Durrës-Bari që nisen në darkë, sipas Kapitenerisë, nuk do të kenë probleme, gjithsesi në këto kushte, flota e peshkimit ka pezulluar aktivitetin dhe ka marrë masat e nevojshme të sigurisë për të shmangur incidentet në kalata. Sipas parashikimeve meteorologjike, pritet një javë me mot të paqëndrueshëm, që do të cenojë aktivitetin e peshkimit deri në fund të javës.

 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta