Opozita protestë sot në orën 18:00, Berisha në konferencë: Parlamenti do bëhet në shesh, duam qeveri teknike

17/11/2025 13:02

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, nga konferenca e përditshme për shtyp me gazetarët, paralajmëroi se sot opozita inauguron “fillimin e foltores së parlamentit para Kryeministrisë”.

E vetmja kërkesë sipas Berishës është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe zv.kryeministres Belinda Balluku, për të vijuar me qeveri teknike.

“Sot, populli opozitar inauguron fillimin e foltores së parlamentit parlamentaro-qytetar para ndërtesës së kryeministrisë me kërkesën e prerë dhe të vetme, dorëheqjen e Edi Ramës dhe Lubi Ballukut si hapi i parë për të ecur drejt një qeverie teknike dhe zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.Kjo protestë thirret në kushtet kur opozita bëri gjithçka për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Por qeveria bëri gjithçka për të shndërruar procesin zgjedhor në një farsë të shëmtuar zgjedhore. Duke u faktuar kështu shqiptarëve dhe botës se shpresë për ndryshimin e pushtetit me votën e lirë nuk ka për sa kohë Edi Rama të jetë kryeministër. Fillimi apo çelja e siparit të stinës së pandërprerë të protestave mund të ishte më i hershëm, por këtë fillim e diktoi një kompleks rrethanash”-tha Berisha.

Duke i cilësuar zgjedhjet si farsë, Berisha tha se opozita nuk lejohet të flasë as në Kuvend, prandaj dhe “parlamenti do bëhet në shesh”.

“E vërteta është se sot çdo shqiptar që do, që ka ideal votën e lirë dhe do të lutojë për votën e lirë, ka në duart e veta dokumente të pakundërshtueshme kombëtare dhe ndërkombëtare se provojnë se Edi Rama zhvillon farsë dhe jo zgjedhje. Pra, opozita ia doli me përkushtim dhe e vendosur të mbrojë në kuptimin ligjor votën e shqiptarëve. Në kuptimin ligjor kombëtar dhe ndërkombëtar. Rikthimi i saj është në duart e qytetarëve shqiptarë, reagimit të tyre, luftës së tyre, betejës së tyre për rikthimin e votës së lirë. PD do bëjë gjithçka në këtë betejë të vështirë. Do përballet dhëmb për dhëmb me qeverinë e krimit, drogës. Do bëjë çdo përpjekje për të rikthyer në Shqipëri votën e lirë. Opozita nuk u lejua në shesh, parlamenti do bëhet në shesh”-u shpreh Berisha.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta