Ndryshon top-lista e vendeve armike të Rusisë, mungon Kosova, ku renditet Shqipëria

17/11/2025 13:27

Lista e re e vendeve të cilat Rusia i percepton si krye-armiket e saj nuk rreshton më në vend të parë SHBA-në, por Mbretërinë e Bashkuar.

Portali rus pro-Kremlinit “Vzglyad” publikoi renditjen e “qeverive armiqësore” me shtetet që raporton se i kundërvihen haptazi Moskës dhe shihen si antagoniste për shkak të rrethanave politike. Anglia rezulton e para me një rezultat prej 75 pikësh falë sanksioneve, mbështetjes për transferimin e aseteve të ngrira ruse në Ukrainë dhe ndihmës së saj ushtarake për Kievin. Gjermania dhe Franca u renditën të dytat me 70 pikë, ndërsa Holanda dhe Estonia të tretat me 65 pikë.

Shtetet e Bashkuara renditen të katërtat në listë, dhe këtë, Vzglyad ia atribuon pezullimit të përkohshëm të ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën. Në vendin e pestë ishte një grup prej shtatë vendesh – Danimarka, Italia, Kanadaja, Lituania, Polonia, Finlanda dhe Suedia – të gjitha me nga 50 pikë.

Shqipëria llogaritet tek më pak “miqësoret” ndaj Rusisë së bashku me vende që shihen si më pak problematike si Lihtenshtajni, Monako apo Koreja e Jugut që marrin vetëm pesë pikë. Interes përbën fakti që Kosova nuk përfshihet aspak në këtë listë. Lista përfshin territore të huaja që, sipas Moskës, kryejnë veprime armiqësore kundër saj, kompanive dhe qytetarëve rusë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta