Ministria e Mbrojtjes paralajmëron qyetarët, reshje të dendura dhe rrezik përmbytjesh të hënën dhe të martën

17/11/2025 16:53

Instituti i Gjeoshkencave paralajmëron se gjatë datave 17-18 Nëntor 2025 vendi do të përfshihet nga reshje të dendura shiu, duke rritur rrezikun për përmbytje në disa zona.

Sipas IGJEUM, sot dhe nesër priten reshje intensive deri shumë intensive në qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër, ndërsa reshje intensive do të ketë në Lezhë dhe mesatare deri intensive në Dibër, Durrës dhe Tiranë.

Shtrëngatat mund të sjellin vërshime të shpejta, rrëshqitje dherash dhe përmbytje urbane të lokalizuara. Prurjet në lumenjtë kryesorë, përfshirë Drin-Buna, Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin dhe Vjosë, pritet të rriten ndjeshëm.

Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u kanë kërkuar bashkive të marrin masa urgjente, përfshirë njoftimin e popullsisë dhe bizneseve të rrezikuara, pastrimin e kanalizimeve, vënien në gatishmëri të hidrovorëve dhe monitorimin e niveleve të ujit, si dhe evakuime preventive në rast nevoje.

Autoritetet apelojnë qytetarët të shmangin lëvizjet në zonat me rrezik dhe të ndjekin udhëzimet zyrtare. Ministria e Mbrojtjes dhe AKMC theksojnë se mbeten në gatishmëri të plotë për çdo situatë emergjente.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta