“Ju Ramën nuk e rrëzoni dot, duhet të prisni degët”/ Protesta e PD, Curri debat me Boçin: Ne s’mund të bëjmë gol në portën tonë…

17/11/2025 21:40

Pas disa muajsh pauzë, opozita u rikthye sot në protestë duke kërkuar dorëheqjen e Ballukut dhe Ramës, si edhe krijimin e një qeverie teknike.

Në këtë moment pyetja që shtrohet lidhet me faktin nëse po shfrytëzohet hetimi për të goditur Kryeministrin, apo protestat po zhvendosin qëllimisht fokusin nga fillimi i krizës? A po e kthen opozita Ramën në qendër për avantazhin e vet? Dhe mbetet pa përgjigje pyetja më e rëndësishme: kush prej të dyve do ta nxjerrë Ramën dhe PS-në nga kjo situatë ajo, duke hapur rrugën, apo ai, duke marrë një vendim që mbron vetë pushtetin e tij?

Analisti Arjan Curri nuk i kurseu kritikat për PD-në. Ai u shpreh në “Top Story” se Partia Demokratike po e ndihmon Belinda Ballukun, duke kërkuar në protestë dorëheqjen e Edi Ramës.

“Duhet të fusni edhe disa kauza të tjera. Ndotjen e mjedisit. Ndonjë zog që rrezikon avionin të rrëzohet… Unë ju mbështes sonte. Ne jemi këtu për t’ju vërë kritikën. SPAK-u duhet uruar, jo vetëm që shkoi deri te zv.kryeministrja, por dosjet shkonin te gjërat reale.

Për mua PD-ja po e mbron Ballukun. Këtë e bën me dashje ose pa dashje, nuk jam në gjendje ta them. Pse po e mbron? Sepse po bën komplet të kundërtën në rastin e asaj që bëri në rastin e Erion Veliajt. Në rastin e Ballukut, e nisi mirë dhe e përfundoi keq. Sot përfundoi një histori që ka nisur ndryshe. Ata thanë ne do shkojmë te Ministria e Infrastrukturës të kërkojmë dorëheqjen e Ballukut. Pastaj gjatë rrugës thatë ‘Prit, do kërkojmë rrëzimin e Ramës’. Ju Ramën nuk e rrëzoni dot. Për mua duhet të bëni të njëjtën gjë që bëtë me Veliajn, sepse ajo ishte rezultative. Kërkesa juaj kryesore duhet të jetë dorëheqja e Belinda Ballukut.

Trungu që është Rama është aq i trashë saqë po t’i bini me sëpatë, doni 100 vite për ta rrëzuar. Kurse po i pretë degët do e keni më të lehtë. E vetmja mënyrë që është më rezultative, dorëheqja e Ballukut. Po nuk e bëtë, unë do vazhdoj të them që ju po e mbroni Ballukun”, tha Curri.

Kjo nxiti dhe një debat me deputetin e Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, i cili u shpreh se ‘degët’ e Ramës janë prerë dhe tani mendon se erdhi koha e tij për të dhënë dorëheqjen.

“Në rastin e Veliajt kishim mundësinë ta shtynim. Edhe këtu doli ura, firma, ka dhe elemente të tjera në dosje. Nga ana politike nuk mund ta thuash këtë, sepse ne nuk mund të bëjmë gol në portën tonë. Ne dolëm në shesh. Kemi bërë debat për vendin.

Ne dalim para kryeministrisë, sepse degët janë prerë. Ne duhet të rrisim kërkesën juridike që SPAK-u të marrë Ramën. SPAK-u e ka mbërthyer Ballukun, ne duam Ramën. Nuk po lëmë Ballukun që të merremi me Ramën”, tha Boçi.

Ndërkohë, Curri iu përgjigj: “Në një lojë shahu, po nuk rrëzuat mbretëreshën, nuk shkon dot te mbreti. Këto këshillat tona do i merrni parasysh?”.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta