Sondazhi i ACP/Ipsos: Pesimizmi, çështja që po bashkon amerikanët në kohë polarizimi
Derisa vdekja të na ndajë… Kjo shprehje, e zakonshme në ceremonitë e dasmave, duket se vlen edhe për motrat Kessler, “vallëtaret kombëtare” të Italisë, të cilat zgjodhën të largoheshin nga jeta së bashku, në të njëjtën ditë, në të njëjtën mënyrë, në moshën 89-vjeçare.
Binjaket Alice dhe Ellen Kessler, me origjinë gjermane, ishin të parat që sollën në skenë numra të guximshëm vallëzimi, duke hapur një rrugë të re në showbizin italian dhe jo vetëm. Corriere della Sera u dha atyre titullin “Mrekullia e dyfishtë gjermane”.
“Dëshira jonë është të vdesim së bashku”
Në ditëlindjen e tyre të 88-të, ato deklaruan: “Dëshira jonë është të vdesim së bashku, në të njëjtën ditë. Ideja që njëra prej nesh të ikë para tjetrës është e papërballueshme.” Vetëm një vit më vonë, u njoftua se Alice dhe Ellen Kessler vdiqën të dyja në Grunwald, pranë Mynihut, në të njëjtën ditë. Ato zgjodhën vetëvrasjen e asistuar dhe përcaktuan paraprakisht datën e vdekjes. Lajmi u konfirmua nga Vega Wetzel, zëdhënëse e Deutsche Gesellschaft für Humanes Sterben (DGHS), organizata më e vjetër gjermane që mbron të drejtat e pacientëve.
Sipas saj, motrat kishin marrë vendimin muaj më parë dhe në ditën e caktuar, një mjek dhe një avokat i DGHS shkuan në banesën e tyre për procedurat ligjore të asistencës. Alice dhe Ellen Kessler lindën më 20 gusht 1936 në Nerchau, Saksoni. Karriera e tyre televizive, me paraqitje në programe si Giardino d’inverno, Studio Uno dhe Canzonissima, i bëri jashtëzakonisht të famshme në Itali, ku morën nofkën “Vallëtaret e Kombit”. Në vitet ’60, RAI i shndërroi në ikona të spektaklit, ndërsa këngë si “Da-Da-Umpa” dhe “La notte è piccola per noi” mbeten të paharrueshme.
Të pandashme gjatë gjithë jetës, ato shprehën dëshirën të varroseshin në një urnë të vetme, pranë hirit të nënës së tyre Elsa dhe qenit të tyre Yellow. Helen e përsëriti këtë dëshirë në një intervistë për Corriere della Sera pak muaj më parë.
Dhuruan gjithë pasurinë
Në vitin 2006, motrat, të cilat jetonin pranë njëra-tjetrës dhe në shtëpi pothuajse identike, dhuruan të gjithë pasurinë e tyre për organizatën “Mjekët pa Kufij”. “Ne nuk kemi të afërm, ose nëse kemi, nuk i njohim. Zgjodhëm ‘Mjekët pa Kufij’ sepse ata rrezikojnë jetën për të tjerët, kanë fituar Çmimin Nobel për Paqen dhe janë njerëz seriozë”, deklaruan ato.
Top Channel