“E pamundur të fitosh 6-0”, Foda para duelit me Zvicrën: Rëndësi ka të luajmë mirë, në ndeshjen e parë nuk treguam fytyrën tonë të vërtetë

17/11/2025 18:12

Stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë pritet të jetë i mbushur të martën mbrëma, ku rreth 14 mijë tifozë do të mbështesin fuqishëm Kosovën në përballjen ndaj Zvicrës, në orën 20:45.

Pas fitoreve ndaj Suedisë dhe Sllovenisë, atmosfera në vend është entuziaste, pasi Kosova e ka siguruar tashmë vendin në play-off të Botërorit.

Megjithatë, për një kualifikim direkt në Kupën e Botës do të duhej një fitore me gjashtë gola diferencë kundër Zvicrës – një skenar praktikisht i pamundur.

Në konferencën për shtyp një ditë para ndeshjes, trajneri i Kosovës, Franco Foda, u shpreh realist por i motivuar: “E rëndësishme është të luajmë mirë dhe të synojmë fitoren. Në Zvicër nuk treguam fytyrën tonë të vërtetë. Teorikisht, gjithçka mund të ndodhë në futboll, por të përmbysësh 6 gola është e pamundur.”

Statistikat flasin qartë për Zvicrën

Zvicra e fitoi ndeshjen e parë 4-0 në “St. Jakob-Park”, stadium ku Foda luajti gjatë periudhës së tij te Baseli në vitet 1996-97.

Në karrierën e tij si trajner, ai drejtoi edhe FC Zürich në vitin 2022, para se të shkarkohej pas javës së 8-të. Në listën e Kosovës janë edhe tre emra me të kaluar në futbollin zviceran: Amir Saipi, Albian Hajdari dhe Leon Avdullahu.

Hajdari, i pranishëm në konferencë, theksoi emocionet e kësaj ndeshjeje: “Është një ndjesi e veçantë. Familja ime do të jetë në stadium.”

I pyetur ku mund të festojnë në Prishtinë, duke qenë se si Zvicra (me biletën e Botërorit) ashtu edhe Kosova (me play-off-in) kanë arsye për gëzim, ai buzëqeshi: “Nuk kam dalë shumë këtu, por aty ku ka muzikë të mirë, ka atmosferë të mirë. Atje duhet të shkoni.”

Historia është kundër mrekullisë

Asnjëherë në historinë e saj Zvicra nuk ka humbur një ndeshje zyrtare me gjashtë gola diferencë. Po ashtu, Kosova nuk ka fituar kurrë me një rezultat të tillë.

Me këto shifra, gjithçka tregon se Zvicra është shumë pranë sigurimit matematik të biletës për Kupën e Botës, ndërsa Kosova synon të mbyllë fazën kualifikuese me një paraqitje dinjitoze para tifozëve të saj.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta