20 vite në pushtet, Orban: Nuk kam frikë se do të humbas zgjedhjet

17/11/2025 16:44

Kryeministri hungarez Viktor Orban thotë se nuk ka frikë nga humbja e zgjedhjeve të ardhshme, të cilat do të mbahen në pranverën e vitit 2026, një pranim interesant pasi ai përballet me një nga sfidat më serioze për mbajtjen e pushtetit të tij në Budapest.

Në një intervistë me Matthias Döpfner, drejtor ekzekutiv i grupit mediatik gjerman Axel Springer, Orban tha se “ka përvojë në opozitë” dhe nuk shqetësohet për mbijetesën e tij politike. “Kalova 16 vjet në politikë si udhëheqës i opozitës”, tha ai, duke shtuar, “mos kini frikë, unë di si të vazhdoj”. Orbán ka qenë kryeministër i Hungarisë për gati 20 vjet, 15 të fundit prej tyre radhazi. “Unë nuk jam vetëm mbajtësi i rekordit si kryeministër, por edhe si udhëheqës i opozitës”, tha Orbán. Sondazhet e opinionit tregojnë se partia Fidesz e Orbán është pas partisë opozitare Tisza, të udhëhequr nga Péter Magyar. Tisza kryeson në sondazhe për premtimet për të çrrënjosur korrupsionin dhe për të ringjallur ekonominë hungareze, raporton Politico. Zgjedhjet janë planifikuar për në pranverë, me shumë mundësi në prill.

Për Orbanin, “kundërshtari kryesor” në zgjedhje nuk është Hungaria, por Brukseli. “Bashkimi Evropian është një rrezik për ne. Ata po na shantazhojnë, duke u përpjekur të na mbytin ekonomikisht dhe financiarisht”, tha ai në intervistë.
“Brukseli do të donte të ndryshonte qeverinë në Hungari. Ata do të donin një qeveri këtu në Hungari, siç bënë në Poloni, që ndjek udhëzimet që vijnë nga Brukseli për imigracionin, ekonominë, luftën, por unë nuk jam ai lloj personi.”

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta