Sulmuesi i kombëtares gjermane dhe Borussia Dortmund, Karim Adeyemi, është gjobitur me 450 mijë euro nga autoritetet gjermane, pas zbulimit të armëve të ndaluara në pronësinë e tij dhe të partneres së tij, këngëtares me origjinë shqiptare Loredana Zefi.

Sipas të përditshmes gjermane Bild, ngjarja i përket rreth një viti më parë, kur policia gjeti “dy objekte të klasifikuara si armë të ndaluara” në sendet e çiftit, duke çuar në ngritjen e procedurave penale. Gjykata gjermane vendosi një gjobë të rëndë ndaj Adeyemit, e cila do të shlyhet në 60 këste prej 7,500 eurosh.

Edhe pse nuk u dha asnjë dënim me burg dhe asnjë shënim penal, ngjarja është cilësuar nga mediat vendase si një “goditje serioze për imazhin e një futbollisti të kombëtares”.

Nga ana e tij, Adeyemi nuk ka komentuar publikisht, ndërsa përmes menaxherit Jorge Mendes është dhënë sqarimi se armët nuk janë blerë prej tyre, por kanë qenë pjesë e një “mystery box” të porositur përmes TikTok — një pretendim që ligjërisht nuk ndryshon përgjegjësinë për posedim.

Borussia Dortmund reagoi menjëherë me një deklaratë zyrtare duke theksuar se klubi “e merr shumë seriozisht çdo çështje penale” dhe se është në komunikim të vazhdueshëm me lojtarin dhe autoritetet. Klubi nuk ka konfirmuar nëse priten masa të brendshme disiplinore.

Ngjarja mund të ndikojë në të ardhmen sportive të Adeyemit, i cili prej kohësh shihet si një nga talentet kryesore të futbollit gjerman. Mediat gjermane vlerësojnë se ky incident forcon kritikat për sjelljen e tij jashtë fushe, ndërsa pritet që Dortmund të hapë një hetim të brendshëm.

Në këtë fazë, Adeyemi vazhdon stërvitjen normalisht me klubin, dhe ndërsa DFB mund të shqyrtojë çështjen, nuk pritet një dënim i rëndë nga kombëtarja, pasi rasti lidhet me posedim dhe jo me përdorim të armëve.

FOTO GALERI
2/10

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta