Rriten tensionet mes Trump dhe Marjorie Taylor Greene, deputetja sfidon presidentin: Publikoni të gjitha dosjet e Epstein

16/11/2025 18:53

Deputetja amerikane Marjorie Taylor Greene theksoi sërish kërkesën e saj për publikimin e të gjitha dosjeve mbi Jeffrey Epstein, pas akuzave të presidentit Donald Trump, i cili e quajti atë “tradhtare” dhe tha se nuk e mbështet më.

Në një intervistë për CNN, Greene tha se megjithëse ende mbështet Trumpin si president, nuk pajtohet me përpjekjet e tij për të mbajtur dosjet e Epstein të mbyllura. Ajo shtoi se fjalët e Trumpit mund të rrezikojnë sigurinë e saj personale.

Tensionet mes Greene dhe Trump u përshkallëzuan ditët e fundit, teksa deputetja kërkoi që Departamenti i Drejtësisë të publikojë të gjitha dokumentet për financierin e ndjerë dhe të dënuar për krime seksuale. Trump e ka mohuar çdo lidhje të paligjshme me Epstein dhe ka thënë se miqësia e tyre kishte përfunduar para se Epstein të përballej me ligjin.

Greene tha se Amerika meriton transparencë dhe askush i pasur e me pushtet nuk duhet të mbrohet nëse ka kryer krime. Ajo shtoi gjithashtu se synon të ndalojë urrejtjen dhe ndarjet në politikë, që sipas saj po ndajnë familje dhe komunitete.

Deputetja, e cila më parë ka ngjallur polemika me teori konspirative dhe postime të diskutueshme në rrjetet sociale, tha se kërkon falje për gabimet e së kaluarës dhe theksoi rëndësinë e faljes, si pjesë e besimit të saj të krishterë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta