Rriten tensionet mes Trump dhe Marjorie Taylor Greene, deputetja sfidon presidentin: Publikoni të gjitha dosjet e Epstein
Një aksident i rëndë në Milano ka lënë një 21-vjeçar në gjendje tepër kritike për jetën, ndërsa tre persona të tjerë janë plagosur.
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së dielës, kur dy makina u përplasën në një kryqëzim të zonës Bicocca.
Sipas policisë lokale, shoferi i njërit prej mjeteve ka rezultuar të jetë një 20-vjeçar pa patentë, i cili pas aksidentit ka tentuar të mashtrojë autoritetet duke u prezantuar si kalimtar që kishte ndaluar për të dhënë ndihmën e parë. Ai kishte edhe rroba të njollosura me gjak, por pretendoi se kishte zbritur nga një tramvaj.
Hetimet, pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshmia e një mjeku që ndodhej rastësisht në vendngjarje, zbuluan se i riu ishte në fakt drejtuesi i mjetit. Një nga këpucët e tij u gjet brenda makinës së aksidentuar, duke rrëzuar përfundimisht mashtrimin e tij.
21-vjeçari që ndodhej në të njëjtin mjet është në gjendje kritike në spital, ndërsa një 30-vjeçare ndodhet në terapi intensive pas një ndërhyrjeje urgjente. Po ashtu edhe një pasagjer tjetër është plagosur, por jashtë rrezikut për jetën.
Drejtuesi i mjetit tjetër është shoqëruar në spital dhe i është bërë testi nëse ka qenë nën efektin e lëndëve narkotike, që ka rezultuar pozitiv. Autoritetet po verifikojnë nëse substanca është konsumuar para aksidentit apo në ditët e mëparshme.
Në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie, zjarrfikëse dhe disa ambulanca, për shkak të dëmeve të rënda dhe zjarrfikjes së automjetit të përmbysur.
Pozicioni i shoferit pa patentë është tashmë nën hetim nga prokuroria italiane.
Top Channel