Balla vijon takimet me Diasporën, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së flet nga Italia: Gjithmonë krenari të takohem me shqiptarë të suksesshëm

16/11/2025 14:55

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, njëkohësisht Drejtuesi Politik i PS për diasporën, Taulant Balla vijon takimet me diasporën.

Stacioni i radhës ka qenë Rajoni i Venetos në verilindje të Italisë, ku u takua me sipërmarrës shqiptarë.

Siç njofton në faqen e tij Facebook, për Ballën  është një moment krenarie kur takohet me shqiptarë të suksesshëm:  “Gjithmonë krenari të takohem me shqiptarë të suksesshëm në diasporë. Bashkë me Presidentin e Confimprese Venezia, Muharrem Salihun, Senatorin Antonio De Poli, Presidentin e Confimprese Italia, Guido D’Amico u takuam me sipërmarrës të suksesshëm italianë dhe shqiptarë. Suksesi i shqiptarëve në diasporë është suksesi i Shqipërisë.”

Balla është mbështetës i kandidaturës së sipërmarrësit nga Medvegja,  Muharrem Salihu për Këshillin Rajonal të Venetos, një nga rajonet më të pasura të Italisë. “Shqiptaro-italianët e Provincës së Trevisos më 23-24 nëntor kanë mundësinë dhe krenarinë të votojnë Muharrem Salihun si këshilltar i Rajonit të Venetos, një arritje historike për të gjithë.”

Kujtojmë se pak ditë më parë Balla, në mbledhjen e Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme, i kërkoi Ministres për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali hapjen e një konsullate shqiptare në këtë rajon, ku jetojnë disa dhjetëra mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare.

Gjatë muajit nëntor, muaji i Pavarësisë, Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën do të ketë takime me shqiptarët në diasporë, edhe në Greqi, Angli, Itali etj.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta