Shpërthimi me 8 të vdekur dhe 20 të plagosur në Delhi, autoritetet indiane vënë në pranga një të dyshuar
Në SHBA po rritet tensioni politik rreth publikimit të plotë të dosjeve të qeverisë mbi Jeffrey Epstein, ndërsa kongresmeni republikan Thomas Massie akuzoi hapur Presidentin Donald Trump se po ndërmerr një “përpjekje të fundit” për të mos lejuar që dokumentet të dalin në dritë.
Massie dhe demokrati Ro Khanna—dy ligjvënësit që drejtojnë nismën bipartizane për transparencë totale—shprehën shqetësime të reja pas urdhrit të Trump për një hetim të ri të lidhjeve të demokratëve me Epstein, shkruan Guardian.
Gjatë një interviste për ABC News, Massie vuri në pikëpyetje sinqeritetin e Presidentit: “Trump e ka quajtur një hoax për muaj të tërë. Tani po heton diçka që e quan hoax? Kam frikë se këto hetime po hapen vetëm për të penguar publikimin e dokumenteve.”
Ai paralajmëroi se dosjet nuk mund të publikohen nëse lidhen me një hetim aktiv, duke sugjeruar se urdhri i Trump mund të jetë një manovër për të fituar kohë.
Massie theksoi se nuk beson se dokumentet do të implikojnë drejtpërdrejt Trumpin, por se Presidenti mund të jetë duke mbrojtur “miq të pasur dhe financues politikë”.
Massie deklaroi se më shumë se 100 republikanë të Dhomës mund të votojnë pro publikimit të dosjeve kur çështja të shkojë në votim këtë javë. Ai u bëri thirrje skeptikëve të mos rreshtohen kundër transparencës: “Në 2030, Trump nuk do të jetë President. Ajo votë do të mbetet përgjithmonë dhe ju do të jeni ata që votuat për të mbrojtur pedofilë.”
Në një intervistë për NBC Meet the Press, Ro Khanna këmbënguli se debati nuk duhet të politizohet: “Kjo ka të bëjë me drejtësinë për të mbijetuarit. Shumë prej tyre do të jenë në Washington të martën për të kërkuar një takim me Presidentin.”
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, tha në Fox News se ai beson se publikimi do t’i japë fund spekulimeve se Trump kishte lidhje me Epstein: “Nuk ka asgjë për të fshehur.”
Ndërkohë, senatorët republikanë nuk janë aq të bindur. Lideri i shumicës, John Barrasso, refuzoi të premtojë një votim në Senat edhe nëse projektligji kalon në Dhomën e Përfaqësuesve.
Edhe Marjorie Taylor Greene, një aleate e fortë e Trump, ka kërkuar publikimin e plotë të dokumenteve, duke shkaktuar tensione brenda kampit republikan.
Top Channel