Humbi ndjenjat dhe u dërgua me urgjencë në spital, zbulohet nga se vuante ish-ylli i Chelseat/ Si paraqitet momentalisht gjendja e tij

14/11/2025 17:27

Ish-mesfushori i Chelseat dhe kombëtares së Brazilit, Oscar, është shtruar në spital në Sao Paulo pasi humbi ndjenjat gjatë një seance stërvitore, duke shkaktuar shqetësim të madh te klubi dhe familja.

34-vjeçari u rrëzua nga biçikleta gjatë një testi fizik në qendrën stërvitore të klubit dhe, sipas mediave braziliane, mbeti i pandërgjegjshëm për rreth dy minuta përpara se të dërgohej me urgjencë në spital.

Pas ekzaminimeve të para, mjekët kanë konfirmuar diagnozën sinkopë vazovagale – një formë e zakonshme e të fikëtit që shkaktohet nga ulja e papritur e pulsit ose presionit të gjakut.

Sipas njoftimit zyrtar të Sao Paolos, Oscar ndodhet i shtruar në Spitalin Israelita Albert Einstein, ku gjendja e tij është “klinike e qëndrueshme”. Megjithatë, për të shmangur çdo rrezik, ai do t’i nënshtrohet studimit elektrofiziologjik, një test që analizë aktivitetin elektrik të zemrës për të zbuluar aritmi të mundshme.

ESPN Brazil raportoi se testet e para rezultuan pozitive dhe “zemra e lojtarit është e paprekur”, duke e cilësuar situatën si “më pak të keqen nga të gjitha skenarët e mundshëm”.

Pavarësisht kësaj, episodi ka ngritur pikëpyetje serioze mbi të ardhmen e tij. Sipas të njëjtit burim, Oscar dhe familja e tij po mendojnë mundësinë e daljes në pension, ndërsa ngjarja ka shkaktuar “shqetësim të madh” tek ata.

Karriera e Oscarit filloi te Sao Paulo në vitin 2004, përpara se të shpërthente te Internacional dhe më pas të realizonte kalimin e madh te Chelsea në vitin 2012 për rreth 25 milionë paund. Në Angli fitoi dy tituj të Premier Ligës, Kupën e Ligës dhe Europa League.

Në vitin 2017, ai u transferua te Shanghai SIPG për 60 milionë paund, duke u bërë një nga futbollistët më të paguar në botë. Në Kinë ai qëndroi tetë vjet, ku fitoi tre tituj kampion dhe grumbulloi mbi 175 milionë paund në përfitime.

Pas largimit nga Kina në vitin 2024, Oscar u rikthye pas 22 ditësh pa klub dhe nënshkroi një kontratë trevjeçare me Sao Paolon në dhjetor të vitit të kaluar.

Klubi pritet të japë një përditësim të ri pas kryerjes së testeve të së premtes, ndërsa e ardhmja e tij në futboll mbetet e paqartë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta