Refuzimi i komisioneve hetimore për McGonigal dhe 11 majin, PD dorëzon ankimim në Gjykatën Kushtetuese

13/11/2025 13:49

Deputetët e Partisë Demokratike i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese pasi u refuzua kërkesa për ngritjen e dy komisioneve hetimore, për McGonigal dhe për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

“38 deputetët të opozitës i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për: Zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet jo më pak se një të katërtës së deputetëve dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, duke përcaktuar detyrimin e Kuvendit për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit:

“Për verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të zyrtarëve shqiptarë në raport me ish-agjentin special të FBI-së Charles McGonigal”;

“Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së organeve të pushtetit qëndror dhe pushtetit vendor, si dhe për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025”.

Deklarimin e vendimit nr. 77/2025 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e projektvendimit “Për ngritjen e Komisionit Hetimor për verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të zyrtarëve shqiptarë në raport me ish-agjentin special të FBI-së Charles McGonigal”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Deklarimin e vendimit nr. 78/2025 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e projektvendimit “Për ngritjen e Komisionit Hetimor për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së organeve të pushtetit qëndror dhe pushtetit vendor, si dhe për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Deputetët e opozitës argumentojnë se rrëzimi me votë politike të mazhorancës i një të drejte kushtetuese të opozitës, e bën rolin e deputetëve të saj në Kuvend, jo thjesht të papërfillshëm, por mbi të gjitha fasadë e një normaliteti të rremë që vret cdo ditë rregullat dhe standardet minimale të parlamentarizmit demokratik. Kjo ka vënë seriozisht në pikëpyetje nevojën e prezencës së opozitës në Kuvend, por nga ana tjetër dëmton interesin publik për shkak se deputetët nuk ushtrojnë dot përgjegjësitë dhe funksionet e tyre kushtetuese. Nëse opozita nuk diskuton dot në Kuvend cështje që kanë interes për qytetarët, nëse nuk ushtron dot kontroll ndaj qeverisjes, nëse nuk shtyn dot përpara miratimin e ligjeve/amendamenteve në interes të qytetarëve, nëse nuk përfillet në të drejtat e saj që ia njeh Kushtetuta e Shqipërisë, atëherë roli i saj në Kuvend është thjeshtë formal duke mos përmbushur përgjegjësitë e veta në një shoqëri demokratike dhe duke dëmtuar kështu sistemin e kontrollit dhe balancës mes pushteteve, si garanci për funksionimin demokratik të shtetit shqiptar.

Deputetët e opozitës evidentojnë se mazhoranca parlamentare ditë pas dite po e trajton Kuvendin si njëpartiak, dhe ku cdo vendimmarrje diktohet jo nga forca e arsyes/argumentit, por nga forca e kartonave të tyre. Ajo vazhdon të mohojë ushtrimin e cdo të drejte parlamentare të deputetëve të opozitës, duke i penguar ata në ushtrimin e përgjegjësive të tyre në mbrojtje të interesit publik. Deri më tani nuk është pranuar asnjë kërkesë e pakicës parlamentare për “mocion me debat”, “interpelancë me Kryeministrin apo ministrat”, seancë dëgjimore në Komisione me ministrat, apo ngritja e Komisioneve Hetimore

“Ne deputetët e pakicës parlamentare jemi të vendosur për të qëndruar të angazhuar në proceset demokratike brenda sistemit institucional, por nuk do të pajtohemi kurrë me asgjësimin e parlamentarizimit apo mohimin e të drejtave tona kushtetuese. Një vend që pretendon antarësimin në Bashkimin Europian, që cenon rregullat minimale të bashkëjetesës demokratike brenda Kuvendit, ku mazhoranca ka rolin e saj dhe opozita përgjegjësitë e saj, nuk mund të jetë asgjë më shumë se një propagandë e papërgjegjshme për një normalitet të rremë demokratik. Këtë realitet të rremë mund dhe duhet ta korrigjojë sistemi i garancive kushtetuese institucionale – ku rolin kyc e ka Gjykata Kushtetuese.” – theksohet në kërkesë.

Në kërkesën e 38 deputetëve të opozitës theksohet në mënyrë të përmbledhur se vendimet e Kuvendit për rrëzimin e dy kërkesave të opozitës për ngritjen e dy Komisioneve Hetimore, bien ndesh me nenit 77 të Kushtetutës dhe jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, sepse:

Është cenuar e drejta e pakicës parlamentare për ngritjen e komisionit hetimor, e cila nuk mund të mohohet apo të kufizohet nëpërmjet vendimmarrjes së shumicës parlamentare. Ajo është një e drejtë kushtetuese që çon detyrimisht në ngritjen e komisionit;
Në rastin konkret, objekti i hetimit të Komisionit Hetimor ishte në përputhje me natyrën e këtij komisioni, si dhe me kriteret dhe standardet kushtetuese të analizuara dhe trajtuara nga jurisprudenca kushtetuese;
Shkaku i lindjes së mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet një të katërtës së deputetëve dhe Kuvendit duhet kërkuar te mohimi, nga ky i fundit (Kuvendi), i kompetencës kushtetuese të pakicës parlamentare për ngritjen e komisionit hetimor me argumentin jokushtetues; Mazhoranca nuk ka bërë asnjë përpjekje dhe asnjë formulim alternativ në raport me objektin e hetimit”-thuhet në njoftimin nga grupi parlamentar i PD.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta