LIVE/ Mbledhja e qeverive Rama- Meloni, firmosen 16 marrëveshjet dhe memorandumet
Në Komisionin e Punëve të Brendshme dhe të Mbrojtjes, deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka zhvilluar një përballje të fortë me përfaqësuesit e Shërbimit Informativ Shtetëror, duke ngritur alarmin për kolapsin e sigurisë kombëtare dhe inkriminimin e institucioneve.
“SHISH-i nuk funksionon. Është lënë qëllimisht në mjerim për të mos investuar në inteligjencën që parandalon krimin,” deklaroi Balliu. Sipas tij, kjo situatë nuk është rastësi, por ‘pjesë e një skeme të qartë ku qeveria shmang çdo mekanizëm kontrolli dhe parandalimi, ndërsa krimi i organizuar forcon pozitat e tij’.
Deputeti tha se Shqipëria po përballet me dramën më të madhe të historisë së saj moderne: inkriminimin e shtetit. Ai solli shembuj flagrantë ku punonjës të Policisë së Shtetit janë kapur të përfshirë në atentate mafioze dhe struktura kriminale, ndërsa të tjerë kanë bashkëpunuar në grupime të rrezikshme.
Balliu rikujtoi edhe deklaratën e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, i cili ka folur publikisht për “koordinatorë të qeverisë me krimin e organizuar”, duke e cilësuar këtë si një provë zyrtare të kapjes së shtetit.
“Si mund të mbrohet vendi, kur institucioni që duhet të parandalojë krimin merr vetëm 10% të buxhetit të policisë? Kjo është e frikshme,” u shpreh Balliu, duke akuzuar qeverinë se nuk investon në inteligjencë sepse nuk i intereson lufta kundër krimit.
Ai përmendi ngjarjen të ndodhur në aeroport. “Kur aeroportet, institucionet e drejtësisë dhe shkollat nuk janë të sigurta, atëherë siguria ka rënë. Kjo është drama jonë,” tha deputeti, duke akuzuar shumicën se vjen në komision vetëm “për show”.
“Si t’i japim më shumë para strukturave të inkriminuara, kur në çdo atentat dalin emra nga policia? Këtu po cenohet siguria kombëtare dhe ju heshtni sepse mbani anën e pushtetit, jo të shtetit,” përfundoi Balliu, ku foli për çështjen Aruba.
Raportimi i tij ka ngritur debate të forta dhe ka rikthyer në qendër të vëmendjes çështjen e sigurisë publike dhe rolin e institucioneve të inteligjencës në vend.
Top Channel