Një studim i ri ka zbuluar se njerëzit që flasin me veten e tyre me zë kanë më shumë gjasa të jenë të suksesshëm se ata që nuk e bëjnë këtë.
Sipas profesorit të psikologjisë në Universitetin e Wisconsin, Gary Lupyan, të folurit me veten ndihmon në organizimin e mendimeve, përqendrimin dhe krijimin e qartësisë mendore në situata të ngarkuara.
“Kur flisni me veten, ju ndihmoni trurin tuaj të strukturojë idetë, të kuptojë më mirë prioritetet dhe të marrë vendime më të qarta”-shpjegon Lupyan.
Ky zakon, që shpesh shihet si i çuditshëm, në fakt është një mënyrë efektive për të menaxhuar stresin dhe për të ruajtur fokusin, veçanërisht në momente pasigurie apo tensioni.
Ekspertët theksojnë se edhe të folurit pozitiv me veten ka një ndikim të fortë në motivim dhe vetëbesim. Kur inkurajoni veten me fjalë të mira, efekti është i ngjashëm me marrjen e një fjalimi motivues nga një person tjetër, vetëm se vjen nga ju vetë.
“Të flasësh me veten është si të bësh një ‘pep talk’ personal”-shtojnë psikologët, duke theksuar se ky proces ndihmon në përballimin e sfidave dhe në arritjen e qëllimeve personale e profesionale.
Pra, herën tjetër që ndiheni të lodhur, të pasigurt apo të vetmuar, mos u përmbani. Flisni me veten! Mund të jetë sekreti që ju çon drejt suksesit./ TAR
Top Channel