Ankimimi i votimit në Gjykatën e Lartë, Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e Naureda Llagamit Kryeministri Edi Rama, në një takim me qytetarët e njësisë 5 në Tirana, ka folur për buxhetin e bashkisë dhe po ashtu për kryebashkiakun Veliaj.
Rama është shprehur se situata e Veliajt është një paradoks shumë i madh, sepse sipas tij, kryebashkiaku është në burg pa gjyq.
Kryeministri rikujtoj se sipas tij, Gjykata Kushtetuese mori një vendim tjetër nga i i qeverisë, por megjithatë tha se bashkë me Manastirliun si drejtuesja politike e qarkut do të vazhdojnë të marrin vendime.
“Ndërkohë që ka një buxhet tjetër, që është buxheti i Bashkisë Tiranës, që normalisht dëgjesat do t’i bënte kryetari i bashkisë. Por kryetarin e bashkisë së Tiranës e kemi në burg pa gjyq. Dhe në ndërkohë jemi në një paradoks shumë të madh, kur kryetari i bashkisë së Tiranës u mor dhe u tërhoq nga zyra për t’u futur në qeli si i paraburgosur, gjë që ndodh normalisht sipas ligjit vetëm për njerëzit shumë të rrezikshëm. Unë e thashë publikisht që kjo është disproporcionale.
Çdo njeri në Shqipëri, në çfarëdo pozicioni nëse duhet hetuar, duhet hetuar.
Por çdo njeri, në Shqipëri dhe në të gjithë botën demokratike, deri kur gjykata e nxjerr fajtor, është i pafajshëm. Ama nuk diskutohet që, në qoftë se njeriun e merr edhe e fut brenda, dhe pastaj lëshohen të gjitha llojet e hijenave dhe të gjitha llojet e klounëve të cirkut politik dhe mediatik për t’i bërë gjyqin, atëherë patjetër që ndodh siç ndodhte dikur: vjen një herë dënimi publik, pastaj vjen dhe pjesa tjetër.
Gjithsesi, më pas, duke parë që të gjitha shkallët e gjyqit nuk e nxorën kryetarin e bashkisë që të vazhdojë të kryejë detyrën dhe paralelisht të bëjë procesin, ne menduam që Tirana nuk ka arsye të paguajë për një kohë të gjatë mungesën e drejtimit.
Po bëjnë maksimumin ata që drejtojnë sot. Këtu janë nënkryetarët e bashkisë. Kryetarja në detyrë nuk ishte sot në Shqipëri, për arsye pune por po bëjnë maksimumin, por nuk është e njëjta gjë.
Dhe për këtë arsye, ne menduam, në respekt të plotë sipas nesh të ligjit. Sepse ligji, – kushtetuta, më saktë, thotë dy gjëra të ndryshme: tjetër për deputetin, tjetër për të zgjedhurin lokal. Për deputetin thotë “pa arsye” kur mungon; për të zgjedhurin lokal nuk e thotë fare.
Gjykata Kushtetuese doli me një vendim tjetër nga i yni. Nuk kam asnjë arsye të dyshoj që e kam parë nga një këndvështrim i arsyeshëm, pavarësisht se i kundërt me këndvështrimin tonë.
Mirëpo, tani duhet të zgjedhim, sepse kanë thënë që kryetari i bashkisë është në pamundësi ta ushtrojë detyrën, por nuk mund të bëhen zgjedhje sepse ai është kryetar bashkie. Okej, jepini mundësinë ta ushtrojë detyrën. Bukur, kur të vijë atje që të kërkojë të lirohet që të vazhdojë detyrën shpresoj që Gjykata Kushtetuese t’i rrijë besnike vetes dhe t’i japë mundësinë të vazhdojë detyrën, apo jo?
Por deri atëherë, ne jemi këtu. Ju jeni këtu dhe të gjithë atyre që janë këtu, në këtë qytet, ju duhet qyteti të pastrohet normalisht, qyteti të funksionojë normalisht, shërbimet të bëhen normalisht, buxheti të vendoset në dispozicion normalisht.
Për këtë arsye, ne po e mbështesim bashkinë që të bëjë më të mirën për buxhetin dhe, për këtë arsye, menduam me Ogertën, si drejtuesja politike e qarkut, por edhe si deputete e Tiranës, që të vazhdojmë të komunikojmë në këto dëgjesa, ku dhe unë po marr pjesë sot këtu. Do marr pjesë, kur të jetë mundësia për këto dëgjesa, do t’i bëjmë në të gjithë territorin. Kështu që… Vasilika është nënkryetarja e bashkisë, ka punuar për shumë vite si zëvendësministre e Financave dhe, përpara, në kohë të tjera, ka mbuluar taksat vendore dhe besoj që, sot nuk e ka të vështirë të ndajë me ju disa pika, jo gjatë, për buxhetin e bashkisë”, u shpreh Rama.
Top Channel