“Paga minimale 500 euro”/ Rama: Sigurimet do t’i mbulojë qeveria për 9 muaj, kush merr lekë në dorë…

12/11/2025 16:55

“Në çdo kompani dhe në çdo dyqan, paga minimale do të jetë 500 euro nga 1 janari”-tha kryeministri Edi Rama nga takimi me banorët e njësisë nr.5 në Tiranë.

Në mënyrë që punëdhënësit të marrin kohë për ta sistemuar këtë rritje tha Rama, 9 muajt e parë sigurimet shoqërore dhe sigurimet shëndetësore të të gjithë atyre që sot e kanë pagën nën 500 euro, do t’i paguajë qeveria.

Ne thamë, dhe edhe këtu u përqeshëm, po nuk ka rëndësi po fakti është që nga 1 janari, paga minimale në sektorin publik dhe privat, jo vetëm në sektorin publik, por dhe në çdo kompani dhe në çdo dyqan, paga minimale do të jetë 500 euro.

Në mënyrë që punëdhënësit të marrin kohë për ta sistemuar këtë rritje, 9 muajt e parë sigurimet shoqërore dhe sigurimet shëndetësore të të gjithë atyre që sot e kanë pagën nën 500 euro, do t’i paguajë qeveria. Pra, punëdhënësit do duhet t’i japin punonjësit me pagë minimale nga janari, 500 euro drejtpërdrejt. Sigurimet do t’i mbulojë qeveria për 9 muajt e parë.

Paga minimale do të vazhdojë të rritet dhe ne nuk e mbarojmë këtë mandat pa e çuar në 700 euro pagën minimale.

Tani edhe kur vjen puna te paga minimale, fillojnë llafet “jo po se ai ca më jep kështu e ca më jep ashtu”. Dhe janë të vërteta, ndodhin që ka punëdhënës, që hyjnë në hak të atyre të cilët punojnë, që këta punëdhënësit të pasurohen dhe ua lënë mallkimet fëmijëve, duke bërë të tilla hile: “Na po ta jap unë pagën këtu, ti do më japësh mua mbrapsht…”

Tani, këtu ka vetëm një zgjidhje: o denoncoje, o përtype. Sepse nuk mundet dot shteti të gjëmojë nga mbrapa të gjithë punëdhënësit e Shqipërisë dhe të gjejë se kush bën hile të tilla, nëse punonjësi nuk e denoncon këtë gjë. Ku? Tek Tatimet, tek Ministri i Financave, te deputeti i zonës. Dhe ne kemi vendosur në ligj që punonjësi, i cili bën një denoncim të tillë është i paprekshëm. Nuk të heq dot njeri nga puna.

Ama, ajo që ne kemi për detyrë është që në deklarimet që burojnë nga banka, 500 euro të vijnë në emrin tënd. Këtë, ne e kemi për detyrë ta garantojmë. Nëse pastaj ti shkon më mbrapa dhe ai thotë “më jep mua 100”, kjo është diçka që duhet ta luftojmë bashkërisht, por që ta luftojmë bashkërisht ne duhet të marrim denoncimin.

Përtej pagës minimale do të vazhdojnë të rriten edhe pagat e tjera.

Do të vazhdojnë të rriten pagat për të gjithë punonjësit e shtetit, por siç ka ndodhur edhe në të kaluarën, do ndodhë përsëri: rritja e pagës minimale kërkon që shteti vetë të axhustojë pagat e tjera, t’i ngjisë më lart, por rritja e pagës minimale sjell rritje të pagave të tjera edhe në sektorin privat. Është diçka që e kemi parë sa herë kemi rritur pagën minimale. Është diçka që do ta përjetojnë të gjithë ata që punojnë në sektorin privat sapo të rritet paga minimale.

Edhe kjo mund të jetë pak, por është e sigurt. Dhe nga rritja e pagave do të përfitojnë edhe punonjësit e shëndetësisë, edhe mësuesit, edhe punonjësit e policisë, të cilët për hir të së vërtetës kanë pasur disa problematika që më në fund marrin zgjidhje të plotë sepse do të përfitojnë edhe vjetërsinë në punë, gjë që e kanë kërkuar prej kohësh, që vetëm si e tillë -pra vetëm vjetërsia-përkthehet në 50 euro plus në muaj për gradat e ulëta, pa llogaritur rritjen tjetër të pagës“-u shpreh Rama.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta