Për herë të parë shfaqet ish-presidenti i Federatës Spanjolle pas dënimit: Puthja me Jennin? Duhej të kisha një sjellje më presidenciale
Futbolli turk është përfshirë nga një krizë e thellë pas skandalit më të madh të basteve në historinë e tij, dhe tani Federata Turke e Futbollit (TFF) i është drejtuar FIFA-s me një kërkesë zyrtare për hapjen e një afati të jashtëzakonshëm transferimesh prej 15 ditësh.
Kjo kërkesë vjen pas pezullimeve masive që kanë tronditur ligat turke, ku 1,024 lojtarë dhe 149 gjyqtarë e asistentë janë përjashtuar për shkak të përfshirjes në baste të paligjshme. Ndër të hetuarit është edhe kryetari i klubit Eyupspor, Murat Ozkaya, ndërsa disa prej klubeve më të mëdha të vendit, përfshirë Galatasarayn, Trabzonsporin dhe Besiktasin, kanë pasur lojtarë të implikuar në këtë aferë.
Presidenti i TFF-së, Ibrahim Haciosmanoglu, e ka cilësuar situatën si një “krizë morale në futbollin turk”, ndërsa federata kërkon ndërhyrjen e FIFA-s për të ndihmuar klubet të plotësojnë boshllëqet e krijuara në skuadra pas pezullimeve masive. Propozimi i TFF-së i referohet një rasti të ngjashëm më herët këtë vit, kur FIFA lejoi një dritare të posaçme 10-ditore transferimesh për klubet pjesëmarrëse në Kupën e Botës për Klube, si Real Madrid dhe Liverpool, për të përforcuar skuadrat jashtë periudhave zyrtare të afatit kalimtar.
Tani, klubet turke shpresojnë që FIFA do të tregojë të njëjtin fleksibilitet, duke miratuar një dritare 15-ditore në nivel kombëtar. Një vendim i tillë do t’u mundësonte atyre të rindërtojnë skuadrat dhe të stabilizojnë kampionatin, i cili aktualisht është pezulluar përkohësisht.
Sipas hetimeve, 371 nga 571 gjyqtarë aktivë në Turqi kishin hapur llogari bastesh, ndërsa një prej tyre kishte vendosur më shumë se 18,000 baste. Kjo situatë ka tronditur thellë opinionin publik dhe ka vënë në pikëpyetje integritetin e garave në të gjitha nivelet e futbollit turk. Nëse FIFA miraton kërkesën, kjo do të ishte hera e parë në histori që një vend merr leje për afat transferimesh emergjente në shkallë kombëtare, për shkak të një skandali brenda sistemit të vet sportiv.
Top Channel