“Buxhet i veçantë për të sëmurët me kancer”/ Rama flet për institutin e ri për tumoret: Për herë të parë…

12/11/2025 16:50

Nga takimi me banorët e njësisë nr.5, kryeministri Edi Rama foli për buxhetin e posaçëm që do t’i dedikohet pacientëve të sëmurë me kancer.

Po ashtu, Rama tha se në Shqipëri do të ngrihet Instituti Kombëtar për Tumoret.

Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në gjithë botën, kanceri ka filluar të bëhet si grip në kuptimin që rastet e shfaqjes së kancerit po bëhen gjithmonë e më të shpeshta dhe realisht nuk ka javë – se ndonjëherë ndodh edhe  3 herë në javë – që unë mos marr një mesazh nga dikush që papritur në shtëpi i shfaqet në trupin e një të afërmi kanceri.

Juve e keni ndjekur trajektoren e spitalit onkologjik nga larg. Keni ndjekur atë që ndodhi përpara ca kohësh. Ndiqni edhe përpjekjet e ulëta që bëhen për të shfrytëzuar edhe kancerin për politikë. Por ajo që është reale, është që përtej të gjitha përmirësimeve dhe transformimeve që janë bërë, ne kemi një problem. Ky problem është real, nuk është se e kemi marrë vesh sot, por sot është koha kur nuk mundet më ta shtyjmë për shkak të vështirësive përkatëse.

Problemi i barnave, i mbulimit me barna të rimbursueshme të nevojës së pacientëve që kanë kancer. Pse? Sepse janë barna që kushtojnë. Por, njësoj siç ndodh në një familje ku, larg qoftë, bie kjo sëmundje – unë di diçka lidhur me këtë nga jeta ime personale – të gjithë nuk kanë më mendjen askund tjetër, por tek detyrimi që t’i bëjnë hyzmetin deri në fund njeriut të afërt dhe t’i bëjnë gjithçka që atij mos t’i mungojë asgjë në luftën me vdekjen që hyn në shtëpi.

Edhe ne si qeveri dhe si shumicë qeverisë, 83 mandate, janë një thirrje që çdo i sëmurë me kancer në Republikën e Shqipërisë të konsiderohet njeriu ynë dhe të mbështetet si njeriu ynë.

Prandaj, për herë të parë – por nëse fillon për herë të parë do të vazhdojë çdo vit – ne kemi përcaktuar një buxhet të veçantë për të mbuluar barnat për kancerin për njerëzit tanë.

Mund të duket si fantazi, por shumë gjëra më kanë ndodhur, që kur i them mendojnë se është fantazi, pastaj bëhen realitet, edhe pse ka disa nga fantazitë duan akoma kohë për t’u bërë realitet. Në ndërkohë, ne kemi vendosur që në Shqipëri të ngremë Institutin Kombëtar për Tumoret, siç e kanë shumë vende. Është një nivel ekselence për studimet dhe për trajtimin e kancerit. Kemi mundësinë tani që këtë projekt ta udhëheqë Ministria e Shëndetësisë, e cila jo para shumë kohësh është shpallur një nga 100 gratë më influente në botën e trajtimit të kancerit, sepse është onkologe me një eksperiencë. Kemi mundësi edhe për ato avantazhe që na jep koha, që na jep teknologjia, që na japin partneritetet që po bëjmë në fushën e shëndetësisë.

Mos harroni që sot që flasim, në spitalin onkologjik ne jemi në partneritet me pavionin onkologjik të spitalit Shiba në Izrael, që është i teti në botë. Dhe në ndërkohë po ndërtojmë një partneritet strategjik të QSUT-së me spitalin San Raffaele të Milanos, që do ta transformojë QSUT në 4 vitet e ardhshme në një qendër referimi për shërbimin shëndetësor në gjithë Ballkanin.

Kështu që, është e mundur që ta ndërtojmë edhe këtë projekt dhe ta ngremë institutin tonë kombëtar për tumorët”-u shpreh Rama.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta