‘Burrat nuk merren me shtëpinë’, Cristiano Ronaldo në vorbullën e polemikave në rrjetet sociale
E ardhmja e Robert Lewandowskit te Barcelona mbetet e pasigurt dhe si pasojë, sulmuesi polak po shndërrohet në një opsion të vërtetë merkatoje ku mes skuadrave të interesuara është edhe Milani.
Sulmuesi 37 vjecar ka me Barcelonën një kontratë që skadon në qershor të 2026 dhe nëse Barcelona nuk do të aplikojë klauzolën e njëanshme për rinovim deri në 2027, Lewandowski do të jetë i lirë të gjejë një skuadër tjetër. Ndërkaq, nga Anglia vijnë sinjale që konfirmojnë mundësinë e largimit të Robert Lewandowskit nga Katalonja.
E përditshmja ‘The Guardian’ thotë se Barcelona ka nisur tashmë kërkimet për zëvendësuesin e polakut dhe emri që po lakohet më shumë është Harry Kane i Bayernit të Mynihut i cili sipas Hansi Flick do të përshtatej shumë mirë me skemat taktike blaugrana.
Sulmuesi anglez ka me Bayernin një kontratë deri në 2027, por deri tani ai nuk ka pasur ndonjë kontakt me drejtuesit e klubit bavarez për rinovimin, ndërkohë që kujtojmë se në kontratën aktuale Kane ka një klauzolë të zgjidhjes së saj prej 60 milionë eurosh dhe që është e vlefshme për verën e 2026. Ndërsa sipas të përditshmes spanjolle ‘Sport’ Barcelona ka shkruar në listën e dëshirave edhe Julian Alvarez të Atletico Madrid dhe Etta Eyong të Levantes.
Ndërkaq, vetë Lewandowski ka folur nga grumbullimi me kombëtaren polake duke lënë të hapur cdo skenar: ‘Nuk e kam me ngut dhe jam në paqe me veten time dhe kjo është ajo që ka më shumë rëndësi-tha Lewandowski-nëse Barcelona do të më kontaktonte tani, nuk do të dija cfarë t’i përgjigjesha kur të më pyeste për të ardhmen, sepse duhet të kuptoj edhe se cfarë është më e mira për mua’.
Top Channel