Te Santosi “mbushet kupa”, drejtuesit e klubit brazilian gati të largojnë Neymarin

11/11/2025 16:58

Marrëdhënia mes Neymar dhe Santos po përkeqësohet dita-ditës, ndërsa situata brenda klubit brazilian duket më e tensionuar se kurrë.

Episodi më i fundit ndodhi në humbjen ndaj Flamengos, një ndeshje e rëndësishme për Santos që po lufton të shmangë rënien nga kategoria.

Gjatë sfidës, Neymar u pa i irrituar vazhdimisht: ai u ankua për lojën e ekipit, gabimet e shokëve që çuan në golat e pësuar dhe, mbi të gjitha, për vendimin e trajnerit Juan Pablo Vojvoda për ta zëvendësuar. Largimi i tij nga fusha pesë minuta para fundit, i zëvendësuar nga Benjamin Rollheiser, u shoqërua me gjeste të nervozizmit që nuk kaluan pa u vënë re.

Sipas Globo Esporte, si lojtarët ashtu edhe drejtuesit janë të lodhur nga sjellja e brazilianit. Ata ndihen të poshtëruar nga reagimet e tij dhe besojnë se ish-ylli i Barcelonës dhe PSG-së nuk po jep kontributin e pritur. Shokët e ekipit i kanë cilësuar gjestet e tij pas zëvendësimit si “të ekzagjeruara dhe krejtësisht të panevojshme”.

Megjithatë, pavarësisht shpërthimit, klubi nuk pritet të marrë masa disiplinore. Neymar thuhet se ka kërkuar falje dhe ka justifikuar ankesat e tij duke i atribuar pakënaqësisë me gjykimin e arbitrit.

Në çdo rast, tensionet mbeten të larta. Forma e tij ka qenë larg pritshmërive: ai ka luajtur vetëm 15 ndeshje, duke humbur 17 të tjera në Kampionatin Brazilian, kryesisht për shkak të dëmtimeve. Ndikimi i tij në fushë ka qenë minimal, dhe Santos e gjen veten në një moment kritik, me presionin që rritet nga java në javë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta