Real Madrid, një ‘fuçi baruti’; Xabi Alonsos i tronditen pozitat, Florentino Perez ëndërron ende Klopp

11/11/2025 22:39

Barazimi në Vallecas që vinte pas humbjes në Anfield ka rritur ndjeshëm presionin e Xabi Alonso. Si në sfidën ndaj Liverpoolit ashtu edhe ndaj Rayos, Reali i Madridit nuk ka shënuar asnjë gol dhe të dielën Florentino Perez e shfaqi para gazetarëve zhgënjimin e tij dhe humori i hidhur i tij pushtoi menjëhere kronikat për Realin e Madridit.

Te Los Blancos kështu ndodh dhe i pari që e di këtë është Xabi Alonso që në Madrid ka luajtur si dhe ka drejtuar skuadra të akademisë. Florentino Perez nuk e ka konsideruar kurrë Xabi Alonson si zgjedhjen e parë për pankinën e skuadrës merenges. Ai donte Jurgen Klopp, por gjermani mori një vit pushim përsa i përket profesionit të trajnerit dhe vazhdon t’u rezistojë ofertave të Realit edhe pse janë diskrete.

Në ambientet rreth Realit të Madridit ka nga ata që e krahasojnë Xabi Alonson me Rafael Benitez që zëvendësoi Ancelotti dhe që qëndroi në stol më pak se 6 muaj dhe ka nga ata që bëjnë një paralelizëm me sezonin e fundit të trajnerit italian ku Reali pati shumë vështirësi. Por Ancelotti nuk kishte mbrojtës, që në fakt u blenë nga Xabi.

Humbja 5-2 e pësuar në Metropolitano nga Atletico Madrid, ndezi sirenat e alarmit dhe Perez kërkoi raport nga trajneri i tij. Fitorja në El Clasico dha oksigjen, por ishte një fitore që erdhi me një Madrid të mbyllur në zonën e tij e shoqëruar nga shkëndija Vinicius që e kontestoi publikisht trajnerin e tij në momentin e zëvendësimit. Në këtë përplasje mes futbollistit dhe trajnerit, Florentino Perez e la vetëm Xabi Alonson dhe kjo u vu re.

Për më tepër, ish mesfushori në konferencat për shtyp nuk ka shfaqur kurrë empatinë e Ancelottit që iu pëlqente aq shumë gazetarëve spanjollë, ndërsa për ndeshjen ne Anfield, pas 9 pritjeve të Courtois tha se ndeshja u vendos nga ‘detajet’ dhe Florentino Perez tundi sërish kokën. Dhe më pas erdhi ndeshja në Vallecas e përsëri u pa një lexim i ndeshjes jo shumë bindës nga ana e trajnerit që duket se është i izoluar në një kullë të fildishtë me bindje që nuk rrëzohen dhe që e bëjnë të duket i distancuar nga lojtarët e tij.

Xabi Alonso nuk po ekzekuton rock’n’ roll-in e premtuar, nuk ushtron presing lart dhe nuk vertikalizon, i beson shumë Mbappe autori i 50% të golave të skuadrës në La Liga. Endrick është zhdukur, Rodrygo i ngrirë, Vinicius i zemëruar, Valverde  i zhgënjyer sepse luan mbrojtës i djathtë me Alexander Arnold në pankinë. Xabi tentoi të gjejë ekuilibrin duke përdorur Tchouamenin dhe Camavingan, zgjidhje që ‘nxin’ akoma më shumë Perez.

Antonio Pintus është ngritur në përgjegjësi, shkon në stadium në tribunë i veshur me kostum dhe jo në fushë me tuta sportive dhe stafi që ka marrë me vete Xabi Alonso është nën testim. Në Anfield, Reali i Madridit përshkoi 5 km më pak se Liverpool, një skuadër  që në 10 ndeshjet e fundit kishte humbur 7. Për të gjitha këto arsye, Florentino Perez nuk është i kënaqur dhe e ka bërë të ditur vërdallë. Temperatura rreth Xabi Alonsos rritet dhe pas pauzës së ndeshjeve të kombëtareve, Reali i Madridit do të luajë 4 ndeshje në transfertë. Janë skuadra mëse të kalueshme, por edhe Rayo Vallecano ishte i tillë. Florentino Perez kërkon përgjigje të menjëhershme, të shohim nëse do të vijnë…

 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta